Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka bërë të ditur se ka pranuar sot një donacion me mjete mbrojtëse, si xhaketa dhe jelekë nga Misioni i OSBE-së në Kosovë për gazetarët, fotoreporterët dhe kameramanët e mediave në Prishtinë.

Në donacionin e siguruar, shpërndarja e të cilit do të fillojë të hënën, bëjnë pjesë 55 xhaketa, 55 jelekë, 50 veshje mbrojtëse, 50 mburoja fytyre, 180 pako maska, si dhe 180 dezinfektues 100 ml.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tutje bëri të ditur se posedon listat e kolegëve të saj që punojnë në terren dhe janë pajisur me mjete mbrojtëse nga donacionet e mëparshme dhe se për tërheqjen e pakove të reja, të njëjtit do të njoftohen ditëve në vijim.

“AGK do ta vazhdojë angazhimin drejt sigurimit të donacioneve të tjera, në mënyrë që gazetarëve t’u lehtësohet sado pak puna që bëjnë gjatë pandemisë me koronavirus”, thuhet në komunikatën e AGK-së.