Osmani anulon vizitën shtetërore në Brunei, shkaku i zhvillimeve të sigurisë në vend

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas sulmeve terroriste në infrastrukturën jetike të Republikës së Kosovës, ka anuluar vizitën shtetërore në Brunei. Presidentja ishte paraparë të udhëtonte sot në mëngjes për Brunei.

“Në një bisedë telefonike të zhvilluar sot, Presidentja Osmani e ka njoftuar Madhërinë e Tij Sulltan Haxhi Hassanal Bolkiah, me zhvillimet aktuale të sigurisë në vend dhe janë dakorduar që vizitën e paraparë ta realizojë në një të ardhme të afërt dhe në një kohë të përshtatshme për të dy palët”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Sipas njoftimit, ky vendim u mor pas shqyrtimit të kujdesshëm të situatës në zhvillim të sigurisë dhe nevojës për t’u koordinuar me të gjitha institucionet në vend në mënyrë që të garantohet siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Një shpërthim ka ndodhur mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Nga ky shpërthim nuk ka pasur viktima, sipas autoriteteve të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar fqinjin verior të Kosovës, Serbinë, për “sulm kriminel dhe terrorist”, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.

Ndërkaq, përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë kanë dënuar fuqishëm shpërthimin në Ibër-Lepenc.

Back to top button