U.d. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani vizitën e saj në Shqipëri e ka filluar duke bërë homazhe te Memoriali i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Lezhë.

Ajo tha se nisja e vizitës me homazh te varri i heroit kombëtar është në funksion të rikujtimit të strategut që bëri shumë me projektin integrues mesjetar, duke u shndërruar në fortifikatë të civilizimit perëndimor.

Sipas Osmanit, figura e Skënderbeut duhet të shërbejë si model i unifikimit në kohë të trazuara si kjo e sotmja.

“Ai bëri atë që na duhet më së shumti sot. Përveç se ishte gardian i vlerave të qytetërimit perëndimor, ishte edhe model i unifikimit. Ai dikur mbrojti vlerat e qytetërimit, të cilin e synojnë bashkë Kosova e Shqipëria”, ka theksuar u.d. Presidentja Osmani.

Ajo tha se figura e Skënderbeut është e përbotshme, siç janë Kosova dhe Shqipëria, të cilat pavarësisht sfidave e pengesave, në një të ardhme do të jenë pjesë e familjes së madhe evropiane.

Ndërkohë, në orën 15:30, Osmani do të pritet me ceremoni shtetërore nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Ndërsa në orën 17:00 do të mbajnë konferencë të përbashkët për medie./21Media