Në 22 vjetorin e masakrës në Çikatovë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca kanë bërë homazhe në kompleksin Memorial.

Në këtë vend, forcat paramilitare serbe masakruan 24 gra, fëmijë dhe pleq.

Osmani dhe Konjufca kanë thënë se kjo ishte prej akteve më barbare që ka kryer Serbia në Kosovë, duke mos kursyer as fëmijët e pleqët.

Udhëheqësja e shtetit, Vjosa Osmani, ka thënë se është një prej masakrave më të tmerrshme të luftës së fundit në Kosovë, e cila e dëshmon qartë qëllimin shfarosës të Serbisë.

“Kushdo që mund të ketë dyshime rreth këtij qëllimi, mjafton që të vie këtu në Çikatovë, pastaj të shkojë në Poklek dhe ta shoh se si serbët nuk kursyen as më të vjetrit e as fëmijët e vegjël, e as shkrimtarët e fëmijëve në Poklek për të treguar kështu që qëllimi i tyre nuk ishte vetëm spastrimi etnik, por ishte qe ta zhdukte popullin shqiptar nga faqja e dheut”, ka thënë Osmani.

Osmani ka shtuar se të gjallët e kanë borxhin më të lartë njerëzor që të sigurojnë drejtësi për të gjithë ata që janë vrarë mizorisht.

“Sepse vetëm atëherë ditën kur do të ketë drejtësi për të gjithë të rënët për lirinë tonë, atëherë edhe paqja dhe po ashtu stabiliteti afatgjatë në rajonin tonë do të jetë i mundur”, ka shtuar Osmani.

Ndërsa, kryeparlamentari Glauk Konjufca, ka thënë se masakra e Çikatovës së vjetër është prej akteve më barbare të gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

“Çka është më e keqja është për faktin që nuk ka pasur drejtësi për masakrën e Çikatovës. Ende shumë kriminelë që kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në masakrën e Çikatovës, janë të lirë. Janë në Serbi, nuk e përjashtoj që prej tyre ka edhe në Kosovë. Por, kjo është krim i shumëfishtë. Sepse i lëndon familjarët që i kanë dhënë më të dashurit e tyre edhe më shumë. Për shkak se edhe martirët nuk mund të prehën të qetë, as zemrat e familjarëve nuk mund të qetësohen e ata mund të flenë pa ardh drejtësia, pa u dënuar të gjithë kriminelët për mizoritë e kryera”, ka deklaruar Konjufca.

Sot janë bërë 22 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër në komunën e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur.