Në 22 vjetorin e masakrës në Poklek të Drenasit, ku u vranë, e u djegën mbi 50 persona, po kërkohet drejtësi në mënyrë që Kosova të ketë lirinë e plot. Shumica e të rënëve, janë në një varrezë, ndaj për krerët e shtetit kjo masakër po konsiderohet e pashembullt në botë. E njëjta po konsiderohet edhe me “Holokaustin”, meqë nuk mund të quhet ndryshe veçse gjenocid.

Vjosa Osmani e Glauk Konjufca pas homazheve në Çikatovë të Vjetër, kanë vizituar edhe Kompleksin Memorial në Poklek. Në 22 vjetorin e kësaj masakre, presidentja Osmani ka theksuar se në mesin e të vrarëve të Poklekut, është edhe Liria, vajza gjashtë-muajshe, e cila nuk e gëzoi lirinë.

“Lirie Muqolli kishte gjashtë muaj, kur u vra mizorisht dhe kur pastaj me së bashku 50 martirë të tjerë, jo vetëm që u vranë por u dogjën. Dhe jo që vetëm u dogjën, por u dogjën dy herë. Në mënyrë që as të mund të identifikohen. Për mizori të tilla të shkrumbimit të fëmijëve të pafajshëm, ne patëm dëgjuar dhe lexuar për luftën e dytë Botërore, për Holokaustin dhe kjo masakër nuk mund të quhet me emër tjetër përveç se gjenocid. Sepse është dëshmia më e qartë e qëllimit që kishte regjimi gjenocidal serb. Sepse ky qëllim qartësohet kur ata treguar që e kanë për qëllim të shfarosin edhe më të vegjlit edhe më të pafajshmit”, tha Osmani.

Më tej, ajo nga Pokleku ka shtuar se çdo ditë të punës dhe jetës duhet të përkujtohet se sa i lartë ishte çmimi për liri.

“Duhet ta themi me zë të lartë, që liria nuk është e plotë. Nuk është e plotë për shkak të drejtësisë së munguar. Dhe liria do të ketë kuptim vetëm atë ditë kur do të ketë drejtësi për lirinë e vogël. Vetëm atë ditë kur do të ketë drejtësi për gjitha viktimat të pushtetit gjenocidal serb. Kur Serbia të kërkojë falje, kur të vendos lule dhe kur të pranojë fajin për të gjitha masakrat në Kosovë ndaj njerëzve të pafajshëm”, shtoi presidentja.

Për më tepër, ajo u shpreh se e gjithë bota duhet të dëgjojë për mizoritë që Serbia ka kryer në Kosovë.

E, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufc, a u shpreh se në shumë masakra ka varreza për secilin nga të rënët veç e veç, por në Poklek të gjithë janë të vendosur në varrezë.

“Për shkak se Serbisë nuk i ka mjaftuar që t’i vrajë shqiptarët dhe të asgjësojë ata, nuk është mjaftuar me kaq por edhe i ka djegur. E pikërisht për shkak të pamundësisë të identifikimit të tyre veç e veç, jemi detyruar si popull t’i varrosim shumicën prej martirëve në një vend të vetëm. Kjo është e pashembullt në botë… ky është gjaku i martirëve, i kombit mbi të cilët janë ngritur me siguri të madhe themelet e shtetit dhe Republikës së Kosovës”, tha Konjufca.

E vërteta e Serbisë, siç u shpreh Konjufca, janë krimet që ka bërë në Kosovë, meqë cak kanë qenë banorët e vendit të paarmatosur.

Në masakrën e Poklekut janë masakruar fëmijë, të rinj, të reja, burrë, ku disa prej tyre edhe u dogjën. Edhe pas dy dekadash, askush nga kriminelët serbë nuk është dënuar.