Osmani dhe Kurti bëjnë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari”

Presidentja, Vjosa Osmani bashkë me kryeministrin, Albin Kurti dhe pjesëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar si dhe deputetë të LVV-së, sot kanë bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari”.
Në ditën e festës së flamurit dhe daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata kanë thënë se kjo është ditë themelore e identitet kombëtar shqiptar.
E para e shtetit ka thënë se sot po nderojnë sakrificën e brezave të tërë, që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë me 1912, por me sakrifica të tjera.
”Sot e filluam ditën te komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja Adem Jashari për të nderuar sakrificën e tyre, sepse 28 nëntori përveç simbolikes së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjes së flamurit; është datë kur ka lindur komandanti legjendar Adem Jashari. Është edhe data kur ka dalur publikisht UÇK dhe të gjitha këto i japin kuptim shumë më të madh festave të nëntorit. Duke nderur sakrificën e të gjithë atyre që dhanë jetën dhe mundin për lirinë tonë, dua që sot t’i uroj të gjithë shqiptarët për këtë festë të rëndësishme tonën, të përbashkët duke shpresuar që një e ardhme e ndritur e pret edhe Republikën e Shqipërisë por edhe të Kosovës”, ka thënë Osmani.
Ndërsa, Kurti është shprehur se 28 nëntori është datë themelore e identitet kombëtar shqiptar. Për këtë, ai është zotuar se po vazhdojnë punën e të parëve, në liri për të ngritur mirëqenien e qytetarëve.
”Prej Skënderbeut në Krujë, te Ismail Qemali në Vlorë te Adem Jashari në Prekaz dhe pa dyshim që kjo është ditë qe na mbush edhe me gëzim edhe me krenari. Por edhe me përgjegjësi për shkak se detyrat para nesh për të ngritur mirëqenien e shqiptarëve dhe qytetarëve tanë për të zhvilluar vendin tonë, për të shtuar demokracinë në Republikën tonë janë më të rëndësishme se kurrë më parë. Dhe ne bëjmë gjithçka që dimë dhe mundemi për të qenë në nivel të kësaj detyre që e vazhdon në paqe, punën dhe luftën e madhe që e bën në kohëra shumë më të vështira se sa kjo e jona”, ka thënë Kurti.
Sot 109 vjet më parë në Vlorë përfaqësues të Vilajeteve shqiptare e kanë shpallur Pavarësinë e Shtetit Shqiptar.

Back to top button