Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka vendosur të dekorojë post-mortem me Medaljen Presidenciale të Meritave punonjësit shëndetësorë të cilët kanë vdekur si pasojë e infeksionit me COVID-19.

Ajo ka bërë të ditur se ceremonia e ndarjes së dekoratave do të organizohet së shpejti në Presidencë, në prani të familjarëve, ndërkaq lista e të dekoruarve do të përditësohet konform informatave nga institucionet përgjegjëse.

Mijëra punonjës shëndetësorë u infektuan nga virusi COVID-19, si vija e parë e përballjes me pandeminë. Përderisa shumica i mbijetuan këtij virusi të rrezikshëm dhe menjëherë u kthyen në shërbim të pacientëve, disa prej tyre, për fat të keq, humbën jetën në këtë përballje. Kontributi i tyre, duke dhënë edhe jetën vetëm e vetëm për t’i shërbyer pacientëve të tyre, duke respektuar betimin e Hipokratit deri në frymën e fundit, meriton të nderohet nga të gjithë ne”, ka shkruar Osmani në një postim në Facebook.

Në shumë qendra ambulatore dhe spitalore në Kosovë më 20 gusht janë ndezur qirinj në shenjë respekti për punëtorët shëndetësorë që kanë humbur jetën nga sëmundja COVID-19. Deri atëherë raportohej se kanë vdekur shtatë mjekë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë mbi 1,300 mjekë, infermierë si dhe punonjës të tjerë shëndetësorë, ishin infektuar që nga fillimi i pandemisë në muajin mars deri në fund të muajit gusht.  /21Media