Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, raportuesja për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe deputeti i të gjelbërve në Bundestangun Gjerman, Manuel Sarrazin kanë diskutuar mbi situatën politike në Kosovë. Diskutim ky që siç tregon kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ishte zhvilluar mbrëmë nëpërmjet Zoom.

Kurti thotë se veç situtatës politike të jetë diskutuar edhe për “vizionin reformator socio-ekonomik e ligjor të qeverisë sonë të ardhshme pas zgjedhjeve, agjendën tonë për nxjerrjen e shtetit nga kriza e shumëfishtë, si dhe integrimin evropian e rolin e diasporës”.

“Bashkë me Presidenten në detyrë, Znj. Vjosa Osmani, Raportuesen për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Evropian, Znj. Viola von Cramon dhe deputetin e të gjelbërve ne Bundestagun Gjerman, Z. Manuel Sarrazin, mbrëmë diskutuam për një orë e gjysmë në Zoom mbi situatën politike në Kosovë, vizionin reformator socio-ekonomik e ligjor të qeverisë sonë të ardhshme pas zgjedhjeve, agjendën tonë për nxjerrjen e shtetit nga kriza e shumëfishtë, si dhe integrimin evropian e rolin e diasporës. Aktivistët shqiptarë, Muhamet Idrizi në Hamburg, me prejardhje nga Mitrovica, dhe, Emiljo Jazxhi, në Berlin e me prejardhje nga Korça, organizuan dhe moderuan këtë debat. Me miq të këtillë shtohet shpresa e rriten mundësitë për vendin tonë”, ka shkruar Kurti.