Ushtruesja e detyrës së postit të presidentes, Vjosa Osmani bashkë me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti kanë bërë homazhe tek varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova në 15 vjetorin e vdekjes së tij.

Nga aty Osmani tha se vepra dhe jeta e ish-presidentit Rugova do të shërbejnë gjithmonë si udhërrëfyes.

“Jemi këtu për ta nderuar kujtimin e presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, njeriut që i bëri bashkë shqiptarët rreth idesë dhe kauzës së lirisë, pavarësisë dhe njeriut i cili diti të ndërtojë urtat më të fuqishme të miqësive me shtet të cilat ende na qëndrojnë pranë. I përjetshëm qoftë kujtimi për të në këtë përvjetor të vdekjes”, tha ajo.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidat për kryeministër nga kjo parti në zgjedhjet e 14 shkurtit, tha se vepra e Rugovës tregon më së miri përkushtimin institucional, qetësinë dhe durimin njerëzor.

“Sot bashkë me presidenten e Republikës, erdhëm që të vendosim një kurorë me lule të freskëta tek varri i doktor Ibrahim Rugovës, presidentit të parë të Republikës të Kosovës nga viti 1992 dhe, njëkohësisht presidentit të parë të Kosovës pas çlirimit të vendit tonë, duke kujtuar insistimin e tij politik, përkushtimin e tij institucional dhe qetësinë dhe durimin njerëzor”, tha ai.

Presidenti Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.