U.d e presidentit, Vjosa Osmani dje ka nisur takimet me përfaqësues të partive politike për t’u konsultuar rreth datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, pasi që Gjykata Kushtetuese ka vendosur që Qeveria Hoti është zgjedhur në mënyrë jolegjitime. Konsultimet me partitë politike, Osmani do t’i vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme.

Në orën 11:00, u.d. Presidentja do të takojë përfaqësues të koalicionit Nisma-AKR, në orën 12:00 ata të Grupit 6+, ndërkaq në orën 13:00 do ta përmbyllë ciklin e takimeve me përfaqësuesit e Listës Serbe.

Ndërkaq, të martën Osmani fillimisht ka pritur në takim liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.

Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në këtë takim të thirrur nga Osmani kanë dërguar vetëm përfaqësuesit e tyre, pra për konsultime nuk kanë shkuar kryetarët e partive.

Si kohë e përshtatshme e zgjedhjeve është propozuar 7 shkurti nga LDK dhe fundi i janarit është propozuar nga PDK.

Pas konsultimit me subjektet politike, pritet të shpallet edhe data e zgjedhjeve, jo më larg se 40 ditë sipas nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese të hënën ka vendosur pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Vota e deputetit Etem Arifi që ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor.

Kushtetuesja ka konstatuar se, në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ajo po ashtu ka konstatuar se, Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe duke pasur parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, është  bërë e ditur në vendimin e Kushtetueses. /21Media