Osmani falënderon partitë opozitare për përkrahjen ndaj institucioneve të sigurisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka pritur në takime të ndara, kryetarët e partive kryesore opozitare, për të diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit të sigurisë në vend. Në fillim të takimeve me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, atë të PDK-së, Memli Krasniqi dhe të AAK-së, Ramush Haradinaj, mori pjesë, me ftesë të presidentes, edhe drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti.

Presidenca ka njoftuar se kryetarët e partive opozitare, janë informuar, brenda kufizimeve që lejon korniza ligjore, lidhur me zhvillimet e sigurisë, punën e institucioneve të Kosovës si dhe për rreziqet e shkaktuara nga Serbia për shkak të agjendës së saj destabilizuese e luftënxitëse e cila po shfaqet nëpërmjet akteve të agresionit dhe të terrorizmit.

“Në të gjitha takimet janë përgëzuar institucionet e sigurisë për punën e shkëlqyeshme në ballafaqim me strukturat e dirigjuara nga Serbia që kryen sulmin terrorist kundër Kosovës dhe është shprehur mirënjohje e thellë për angazhimin e pashoq dhe sakrificën e policisë së Kosovës për të mbrojtur sovranitetin, integritetin territorial dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim”, thuhet në komunikatë.

Presidentja Osmani ka theksuar se uniteti nacional në këtë kohë të rëndë për Kosovën është imperativ dhe për këtë duhet të kontribuojmë të gjithë së bashku. Ajo i ka falënderuar partitë opozitare për qëndrimin korrekt dhe përkrahjen ndaj institucioneve të sigurisë në këtë fazë të ballafaqimit më agjendën destabilizuese të Serbisë kundër Kosovës.

Po ashtu, Presidentja ka siguruar liderët opozitarë se në çdo fazë të zhvillimeve do të njoftohen lidhur me përgatitjet dhe punën e institucioneve si dhe do të ketë bashkërendim të plotë me aleatët tanë të cilët, në bashkëpunim me institucionet tona të sigurisë, janë garantues të paqes e stabilitetit.

Presidentja Osmani ka shfaqur besimin e plotë se edhe sfidat e reja që mund të shfaqen do t’i tejkalojmë të bashkuar, duke vendosur interesin e shtetit mbi të gjitha./21Media

Back to top button