Osmani: Gjatë dy ditëve ju bashkuam anëtarëve të Familjes Mbretërore

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mori pjesë në ceremominë e varrimit të Mbretëreshës Elizabeth II.
Osmani në një postim në Facebook ka thënë se përgjatë  dy ditëve, ju bashkuan anëtarëve të Familjes Mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar dhe liderëve nga mbarë bota për ta nderuar trashëgiminë historike të Mbretëreshës Elizabeth II.
E para e Kosovës, ka shtuar se në pritjen e organizuar mbrëmë nga Mbreti Charles III në Buckingham Palace, si dhe në pritjen e organizuar sot nga Sekretari i Jashtëm James Cleverly, ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për partneritetin në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
”Në homazhet e mbajtura në Westminster Hall, si dhe në Librin e Zisë të hapur në Lancaster House, kujtuam dedikimin e palëkundur ndaj popullit, urtësinë dhe bujarinë e Mbretëreshës, të cilat do të vazhdojnë t’i frymëzojnë brezat e ardhshëm. Në pritjen e organizuar mbrëmë nga Mbreti Charles III në Buckingham Palace, si dhe në pritjen e organizuar sot nga Sekretari i Jashtëm James Cleverly, shprehëm mirënjohjen e popullit të Kosovës për partneritetin në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilin jemi të përkushtuar ta forcojmë tutje gjatë viteve në vijim. Ndërsa sot, në Funeralin Shtetëror në Westminster Abbey, i dhamë lamtumirën e fundit Mbretëreshës, duke i nderuar virtytet dhe veprën e saj për të cilat do të kujtohet përherë. Pusho në paqe Mbretëreshë”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në New York, ku në margjina të sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara (UNGA), krahas liderëve të tjerë botërorë do të marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden./21Media

Back to top button