Hovenier pas takimit për Asociacionin: Vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha zotimeve të Dialogut

(Lajm i përditësuar)
14: 50-Rashiq: Ka potencial për bisedime të mëtejshme
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha për Radion Evropa e Lirë se pjesëmarrësit diskutuan për kornizën politike dhe ligjore të Asociacionit dhe se “diskutimi ishte interesant”.
“Ka pasur replika dhe mendime të ndryshme, por, në përgjithësi, mendoj se cilësia e bisedimeve ka qenë në nivel të lartë”, tha Rashiq, pa dhënë detaje.
Rashiq, i cili në disa raste ka përsëritur se marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk mund të injorohen, shtoi se të pranishmit në këtë takim ishin “bashkëbisedues relevantë”.
“Ka potencial për bisedime të mëtejshme”, tha ai.
PDK deklarohet pas takimit për Asociacionin: Inkurajojmë Qeverinë për marrëveshje me njohje reciproke
Pas takimi për Asociacionin që u mbajt sot në Ambasadën e Amerikës, Partia Demokratiek është deklarur duke thënë se inkurajon Qeveriinë për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë.
“Qëndrimet e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me dialogun janë të qarta, publike dhe konsistente. Rrjedhimisht, PDK në vazhdimësi i ka dhënë mbështetjen e nevojshme dhe e ka inkurajuar Qeverinë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme, me njohjen reciproke në qendër.”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Po ashtu ky subjekt politik shkruan se vlerëson lartë angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha fazat më të rëndësishme të vendit, nga çlirimi, pavarësia dhe shtetndërtimi.
“Partia Demokratike e Kosovës do të jap gjithmonë kontributin e saj aktiv kur në pyetje është interesi i shtetit dhe i qytetarëve të Kosovës.”, thuhet në njoftim.
12: 55- Hovenier pas takimit për Asociacionin: Vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha zotimeve të Dialogut
Pas përfundimit të takimit rreth Asociacionit në Ambasadën Amerikane, Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier është deklaruar rreth këtij takimi.
Hovenier në Twitter  ka shkruar se SHBA-ja do të vazhdojë të avokojë për zbatimin e të gjitha zotimeve të dialogut.
“Sot mbajtëm një diskutim në ambasadën amerikane në Prishtinë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Mirënjohës ndaj palëve të ndryshme të interesuara të pranishëm për ndarjen e pikëpamjeve dhe ekspertizës së tyre. Ne vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha zotimeve të Dialogut”, ka shkruar Hovenier.


10: 25- Osmani: Gjithçka që ka të bëjë me Amerikën është e mirë, Kurti: Ata që janë në takim e thonë fjalën
Kryeministri i Kosovës,  Albin Kurti i pyetur nga RTV21 rreth takimit të sotëm për Asociacionin në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë,  tha se fjalën e tyre rreth kësaj teme do ta thonë përfaqësuesit e e institucioneve.
“Besoj që ata që janë në takim do ta thonë fjalën e tyre atje ndodhet shefi i stafit tim dhe shefi i stafit të Presidentes.”, deklaroi ai.

10: 20- Takimi për Asociacionin, Osmani: Gjithçka që ka të bëjë me Amerikën është e mirë
Presidentja  e Kosovës, Vjosa Osmani ka komentuar takimin e sotëm për Asociacionin i organizuar nga Ambasada Amerikane.
E pyetur nga RTV21 se si e komenton këtë takim, ajo tha se gjithçka që ka të bëjë me Amerikën është e mirë.
“Gjithçka që vjen nga Amerika është e mirë”, deklaroi ajo.
Ndërkohë refuzoi të përgjigjet në pyetjen se a pret të ketë propozime për Asociacionin.

09: 55 -Pamje nga vendi ku po diskutohet për Asociacionin
Mëngjesin e sotëm Ambasada e Amerikës në Kosovë ka publikuar pamje nga ambienti ku do të zhvillohen diskutimet për Asociacionin.
“Sot në mëngjes, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë do të mbajë një takim për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe (ASM) në Kosovë. Ne mezi presim të dëgjojmë perspektiva të menduara nga një grup i ndryshëm liderësh të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë dhe liderë politikë”, ka shkruar ambasada.
Nga qeveria po marrin pjesë Luan Dalipi, Arbërie Nagavci e Arben Vitia. Janë gjithashtu edhe përfaqësues të opozitës.
07: 59: Ambasada e SHBA-së nis diskutimin për Asociacionin

Me ftesë të Ambasadës amerikane në Prishtinë sot do të mbahet takimi në të cilin do të diskutohet çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë mbrëmë se Zyra e presidentes Vjosa Osmani dhe ajo e kryeministrit Albin Kurti kanë konfirmuar pjesëmarrjen në diskutim.
“Qëllimi ynë është të avancojmë mirëkuptimin e ndërsjellë për përkushtimin ndaj Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, thuhet në një përgjigje të zëdhënëses së Ambasadës amerikane, Katherine Judd për REL.
Pjesëmarrjen në këtë takim e konfirmuar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se do të dërgojnë përfaqësuesin e tyre në kuadër të këtij takimi.
“Normalisht që do të marrë pjesë. Ne jemi parti opozitare, çështjeve duhet tu jap drejtim Qeveria e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Ndërsa LDK, në një komunikatë për media ka thënë se në këtë takim, do të konfirmojë edhe njëherë mbështetjen për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, me përfshirjen e plotë të SHBA-së. Orientimet e LDK-së për një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme, dhe me njohjen reciproke në thelb të saj, mbesin të pandryshueshme./21Media

Back to top button