Osmani: Historia e Demaçit është histori e vendosmërisë së palëkundur

Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar veprimtarin e çështjes kombëtare Adem Demaçin në pesëvjetorin e vdekjes së tij, duke thënë se vetëmohimi i tij është dëshmi e rrugës së zorshme deri te liria dhe bërja e shtetit.

“Lufta për drejtësi, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe kauza për Kosovën Republikë portretizohen më së miri në jetën dhe veprën e simbolit të rezistencës kombëtare- Adem Demaçi”, shkroi Osmani në Facebook.

“Liria e popullit ishte më e rëndësishme se sa ajo individuale. Historia e Demaçit është histori e vendosmërisë së palëkundur, guximit dhe vullnetit të paepur për të mbijetuar pavarësisht rrethanave. Përgjatë gati tri dekadave të burgut, ai mbajti peshën e padrejtësisë, duke kultivuar humanizmin dhe ruajtur shpresën për një të nesërme më të mirë”, shtoi e para e shtetit. /21Media

 

Back to top button