Osmani i drejtohet Kushtetueses për anëtarët e KQZ-së

Kërkesa e LVV-së për t’i pasur tre anëtar në KQZ, ngjalli dilema tek presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Për këtë çështje, Osmani dorëzoi një kërkesë për sqarim nga Gjykatën Kushtetuese.
“Presidentja, Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje. Sapo ta marrë përgjigjen, do të vijohet me emërim. Në rrethanat aktuale janë bërë më shumë propozime nga grupet parlamentare sesa që parashikohet me Kushtetutë, prandaj duhet ta sqarojë këtë çështje Gjykata para se të vijohet tutje”, ka thënë kabineti i presidentes për rtv21
Kërkesën për sqarime kushtetuese lidhur me numrin e anëtarëve të KQZ-së e ka konfirmuar edhe Gjykata Kushtetuese.
Ndaj këtyre zhvillimeve ka reaguar Partia Demokratike të Kosovës, e cila rrezikon ta humbas një mandat në KQZ.
“Pra, Kushtetuta e Kosovës është e qartë: së pari, sigurohet përfaqësimi proporcional i subjekteve më të mëdha parlamentare. Dhe së dyti, meqenëse pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit në Kuvend janë vetëm 4 grupe parlamentare shqiptare, pra në mungesë të numrit të mjaftueshëm prej 6 grupeve, anëtarët shtesë emërohen nga grupet më të mëdha parlamentare, që në këtë rast janë Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës”, tha Gjoshi.
Një kërkesë të ngjashme LVV e kishte paraqitur edhe në vitin 2021, gjë për të cilën, presidentja Osmani kishte kërkuar sqarim nga Kushtetuesja, kërkesë e cila ishte hedhur poshtë si e papranueshme për interpretim. Më pas Osmani, kishte dekretuar anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ dhe LVV-në e la me dy anëtarë. Avokati, Ardian Bajraktari, vlerëson se as kësaj radhe kushtetuesja nuk do ta marrë për bazë kërkesën e presidentes.
“Kushtetusja nuk jep më këshilla se si të veprohet ajo vendos për vendimet që janë marrë…”, theksoi avokati për rtv21
Një qëndrim i ngjashëm i Kushtetueses për të mos marrë në shqyrtim kërkesën e Osmanit, po shihet me shqetësim nga PDK-ja.
“Pas datës 4 prill në vendin e presidentes do të vjen Albulena Haxhiu e njohur për shkeljet kushtetuese dhe vendimet arbitrare dhe kësisoj LVV do të vendosë vet për zgjedhjet e reja të cilat po pritet të mbahen…”.
Presidentja Osmani, u raportuar se ka nxjerrë dekret për emërimin e 9 nga 10 anëtarët e ri të KQZ-së. Nga LVV ka dekretuar dy anëtarë, Alban Krasniqin dhe Violeta Salihun, duke lënë në pikëpyetje Njazi Isakun, ndërsa nga PDK ka dekretuar vetëm Ilir Gashin por jo edhe të propozuarin e dytë ish-deputetin Rashit Qalaj. Aktualisht në Kuvend janë 4 grupe parlamentare shqiptare. Kushtetuta e përcakton se 6 ulëse në KQZ, u takojnë 6 grupeve më të mëdha parlamentare, respektivisht subjekteve politike shqiptare, e 4 të tjera për komunitetet. Ish-anëtari i KQZ-së, Blerim Burjani, thotë se kjo formulë e ulëseve duhet të respektohet, ndërsa, vendimi për shtimin e ndonjë anëtari është në diskrecion të presidentes.
“Formula është e thjeshtë e qartë, 6+4+1. Dhe kjo formulë duhet të respektohet është e thënë me kushtetutë…”, tha Burjani për rtv21
Derisa nuk dihet epilogu i përfaqësimin të LVV-së dhe PDK në KQZ, tashmë është bërë e ditur se në këtë institucion LDK-në edhe për një mandat do ta përfaqësojë Sami Hamiti ndërsa AAK-në Muharrem Nitaj./RTV21/21Media