Osmani: Kërkimi i drejtësisë për Masakrën e Reçakut, detyrë që kapërcen kufijtë etnikë dhe politikë
(Lajm i përditësuar)
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë që kërkimi për drejtësi për Masakrën e Reçakut është detyrë e shenjtë që kapërcen etnitë dhe përkatësitë politike.
Ajo në ceremoninë përkujtimore për viktimat e kësaj masakre deklaroi që vetëm drejtësia i jep kuptim paqes teksa ritheksoi këtë detyrim e kërkesë të shqiptarëve të Kosovës.
“Sot kemi nevojë që ta themi vazhdimisht e kudo se në këtë fshat të vogël me histori të madhe u vranë civilë të pambrojtur e të paarmatosur, ndaj thirrja për drejtësi për ta është në funksion të mbrojtjes së dinjitetit njerëzor të viktimave dhe të familjeve të tyre. Kërkimi i drejtësisë nuk është thjesht një kërkesë, është një detyrë e shenjtë që kapërcen kufijtë, kapërcen etnitë, dhe përkatësisë politike”, ka thënë Osmani.
Osmani: Faleminderit Walker që u bëre zëri i të gjitha viktimave kur ne s’kishim zë
Presidentja e Ksoovës, Vjosa Osmani ka bërë sot homazhe për viktimat e Masakrës së Reçakut, dhe me këtë rast e ka falënderuar prapë ish-shefin e Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, që i dha jehonë asaj që kishte ngjarë më 1999.
“Jemi këtu për të falënderuar sërish ambasadorin Walker që u bë zëri i të gjitha viktimave në një kohë ku ne fatkeqësisht nuk kishim zë”, ka thënë Osmani.
Osmani i shprehu mirënjohje të thellë Walkerit edhe për punën e tij pas luftës në Kosovë ku ka insistuar për të vërtetën që ngjau në këtë fshat të Shtimes pavarësisht mohimeve të Serbisë.