Osmani kërkon përfshirje më të madhe të grave në struktura udhëheqëse

2 min read

Pjesëmarrja e grave dhe vajzave në proceset e paqes dhe sigurisë është garanci më e mirë për paqe dhe siguri të qëndrueshme dhe afatgjate, u tha me rastin Ditës së hapur globale të Kombeve të Bashkuara për gratë, paqen dhe sigurinë e organizuara nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Agjenda e shënimit të kësaj dite për këtë vit ishte “Thyerja e barrierave dhe ndërtimi i paqes: Avancimi i pjesëmarrjes së gruas në proceset politike”.

Presidentja Vjosa Osmani u shpreh se integrimi i grave dhe vajzave në proceset e paqes dhe sigurisë është padyshim një synim i përditshëm. Ajo theksoi nevojë për të pasur më shumë gra në struktura udhëheqëse.

Osmani u shpreh se Kosova për herë të parë më 22 dhe 23 tetor do të organizojë Forumin Ndërkombëtar për gratë paqen dhe sigurinë dhe kështu po përmbushin zotimin e saj dhënë në Samitin e Demokracisë.

Caroline Ziadeh, përfaqësuesja speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefja e re e UNMIK-ut u shpreh se pjesëmarrja e grave në procese vendimmarrëse kontribuon në shoqëri demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Ulrike Richardson u shpreh se lëvizja e grave në rrugëtimin e Ballkanit Perëndimor drejt paqes dhe barazisë është motor i rëndësishëm.

Ndërsa, zëvendëskryeministrja e Kosovës për çështje të pakicave dhe të drejta të njeriut, Emilija Rexhepi u shpreh se në Kosovë është punuar në aspektin e mundësive të barabarta për të gjithë.

Diskutimi në konferencë ka vazhduar me panele që diskutuan për rëndësinë e lidershipit të grave në paqen e qëndrueshme, por edhe për rolin e gruas në fuqizimin e proceseve përfshirëse të vendimmarrjes.