Osmani: Këto pesë vite kanë qenë rrugëtimi ynë i përbashkët

(Lajm i përditësuar)
Osmani: Këto pesë vite kanë qenë rrugëtimi ynë i përbashkët
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot në ditën kur përfundon mandatin e saj, përmes një video të publikuar në rrjetet sociale ka ndarë një mesazh falënderimi me qytetarët.
Ajo thotë se këto pesë vite nuk kanë qenë historia e një individi, por një rrugëtim i përbashkët me qytetarët dhe njerëz nga fusha të ndryshme të shoqërisë që kontribuuan për përparimin e vendit.
“Këto pesë vite nuk kanë qenë historia e një njeriu të vetëm. Kanë qenë rrugëtimi ynë i përbashkët. Me njerëz nga çdo fushë, që besuan në Kosovën. Që punuan, kontribuuan dhe shtynë përpara ide e mundësi për qytetarët tanë. Faleminderit që qëndruat me ne e për Kosovën tonë të përjetshme,” tha Osmani, duke përfunduar mesazhin me flamurin e Kosovës.
Ky postim shënon përmbylljen e mandatit të Osmanit, pas së cilës detyrën e presidentit, në ora 16:00, e merr kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, përmes dorëzimit ceremonial të detyrës.
Osmani ia kalon sot zyrtarisht detyrën Albulena Haxhiut
Presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet që sot në orën 16:00 t’ia dorëzojë zyrtarisht detyrën kryeparlamentares, Albulena Haxhiu.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga Zyra e Presidentes.
Sipas njoftimit, ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës do të mbahet në Kabinetin e Presidentes.
Osmani pati shprehur ambicie edhe për mandatin e dytë, ndërsa ka paralajmëruar se në rast të dështimit do të vazhdojë angazhimin politik.