Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka reaguar pas publikimit të aktakuzës ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe liderit të PDK-së, Kadri Veseli. Osmani në një shkrim në Facebook u shpreh se në këto momente Kosovës i duhet maturi, unitet, bashkëpunim e urtësi, i duhet edhe mbrojtje e integritetit e imazhit shtetëror, por mbi të gjitha drejtësi.

Kryetarja e Kuvendit tha se Serbia ende s’është përgjigjur për krimet e saj.

“Në këto momente, Kosovës i duhet maturi, unitet, bashkëpunim e urtësi. I duhet edhe mbrojtje e dinjitetit, integritetit e imazhit shtetëror. Por mbi të gjitha, Kosovës i duhet drejtësi. Drejtësia duhet të kryej punën në mënyrë të pavarur e pa presion. Serbia ende nuk është përgjigjur për krimet e llahtarshme kundër civilëve të pafajshëm në Kosovë. Serbia është shtet gjenocidal. Dhe këtë duhet ta themi sot e çdo ditë, në Kosovë, në SHBA, në Evropë e çdokund në botë.”, shkroi Osmani në Facebook./21Media