Për nder të 142-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sonte në Prizren është hapur ekspozita “Personalitetet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se kjo ekspozitë dhe bashkimi i qytetarëve sot dëshmon që shpirti i Lidhjes së Prizrenit është akoma gjallë dhe ky shpirt jeton në secilën shtëpi dhe secili qytetar beson thellë në rëndësinë e kësaj ngjarje në rikonfirmimin e identitetit tonë kombëtar.

Ajo tha se Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte thirrje për rizgjim e bashkim kombëtar në kohën kur rrezikoheshin nga të gjitha anët.

Osmani tha se edhe sot duhet të përsëritet ajo që është thënë në Lidhjen e Prizrenit, se nuk kemi tokë për të dhënë.

“Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte mbi të gjitha një thirrje për rizgjim kombëtar, ishte një thirrje për bashkim kur ne rrezikoheshim nga të gjitha anët. Është mësimi më i fortë të cilin duhet ta shfrytëzojmë edhe sot. Secili njëri që e donë këtë vend, secili që beson në mos cenimin e tokave tona, duhet të mësojë nga mësimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ashtu siç thanë para 142 vjetësh që ne kemi qenë këtu dhe jemi për të mbetur dhe nuk kemi tokë për të dhënë, ashtu duhet ta përsërisim edhe sot. Pas projektit të përbashkimit e integrimit që e kishte Skënderbeu, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte platforma e dytë që jo vetëm që e rikonfirmoi identitetin tonë kombëtar dhe bashkimin tonë, por në të njëjtën kohë konfirmoi që ky identitet kombëtar është përkundër ndikimeve që tentonin t’i bënin të tjerët është i lidhur me vlerat e qytetërimit pro-perëndimor. Rikonfirmimin se identiteti ynë lidhet me këto vlerat e qytetërimit pro-perëndimor e bëjmë edhe ne sot dhe e kemi në preambulën e Kushtetutës sonë”, tha ajo.

Osmani tha mesazhet që kanë dalë nga Lidhja e Prizrenit duhet t’ua japin fëmijëve në mënyrë që brez pas brezit të përcillet rëndësia e kësaj ngjarje.

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, tha se përmes kësaj ekspozite po sillen në vëmendje të gjitha tubimet më të rëndësishme kombëtare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

“Sot jemi së bashku për të sjellë në vëmendje të gjitha tubimet më të rëndësishme kombëtare shqiptare të Lidhjes së Prizrenit. Kriza lindore 1875-1878 pasoi me vendimin e Traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit, vendime këto të cilat ndan truallin etnik shqiptar në dobi të shteteve fqinje. Për të ruajtur tërësinë territoriale atdhetarët tanë 142 vjet më parë arritën të formojnë organizatën politike dhe ushtarake Lidhja Shqiptare e Prizrenit, që disa vite u zhvilluan aktivitete të ndryshme”, tha ajo.

Autori i ekspozitës Parim Kosova, dha detaje për ekspozitën, i cili tha se qysh nga viti 1996 kishte filluar të merret me këto fotografi.

“Kemi arritur të grumbullojmë fotografi të personaliteteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Duhet të theksoi një fakt, fati ka qenë i tillë shekulli 19 që studio fotografish vetëm një ka qenë në hapësirën shqiptare, ajo e Marubit dhe të tjerët janë fotografuar ose në Selanik ose në Stamboll ose në Itali ose në Austri. Pata fatin pas luftës të jem i pari studiues nga Kosova të hulumtoj në arkivin e fototekës Marubi, kam hulumtuar në fototekën në Stamboll, të muzeut kombëtar, muzeut të Tiranës, si dhe te familjarët”, tha ai.

Parim Kosova tha se janë në përfundim të fjalorit enciklopedik të personaliteteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, teksa kërkoi që të zgjerohet kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore Samir Hoxha, tha se figurat e shquara të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishin dhe mbeten figura të pashlyera në kujtesën historike.

“Lidhja Shqiptare e Prizrenit pati një rëndësi të madhe për historinë e popullit shqiptar, jehona e madhe që pati i dha shtytje lëvizjeve kombëtare duke ushtruar ndikim të madh në të gjitha luftërat e mëvonshme për liri dhe pavarësi e deri te lufta e fundit e UÇK-së, ku shumë u flijuan për lirinë dje pavarësinë e vendit. Lidhja Shqiptare e Prizrenit luftoi për çlirimin e vendit nga robëria shekullore osmane për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut dhe për formimin e shtetit shqiptar. Kjo ekspozitë me figurat më monumentale për të kaluarën tonë historike pasqyrojnë qartë identitetin tonë kombëtar”, tha Hoxha.