Në vizitë në Shqipëri,  ushtruesja në detyrë njëherit edhe kryetare e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh e lumtur që iu drejtua përfaqësuesve të zgjedhur të Shqipërisë nga foltorja e parlamentit shqiptar.  Osmani nga aty ka folur edhe rreth dialogut me Serbinë.

“Është kënaqësi e veçantë që si përfaqësuese e popullit të Kosovës të mund ta bëj këtë në shtetin e shqiptarëve, këtij kombi të lashtë, i cili i ka dhënë aq shumë kulturës e qytetërimit perëndimor. Është, pra, nder i madh për mua t’ju drejtohem dhe t’ju flas sikur i flet njeriu familjes së vet, me të cilën ka ndarë aq histori, këmbëngulje, dhimbje e mall të pasosur, por së cilës i ka dhuruar dhe nga e cila ka marrë aq shumë dashuri. Shqipëria është jo vetëm atdheu i bashkëvëllezërve e bashkëmotrave tona, por edhe ëndrra jonë e përbashkët. ”, u shpreh Osmani.

Nga foltorja e Parlamentit të Shqipërisë, Osmani ka thënë se me Serbinë do të dialogojnë vetëm për njohje të ndërsjellët.

“Sot dialogu me Serbinë është ende i pambyllur ne jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke e njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit politik. Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territor të saj e as me koncesione të tjera, për politikën gjenocidale që Serbia kishte ndaj nesh. Serbia duhet të pendohet, të kërkojë falje e të dënohet. E jo të shpërblehet. Dhe kjo duhet të jetë e qartë për këdo dhe ta themi me zë të lartë këtu e në çdo vend tjetër të botës. Prandaj edhe i kam bërë thirrje këtij Kuvendi të nderuar që t’i bashkohet Kuvendit të Republikës së Kosovës në miratimin e Rezolutës që dënon gjenocidin serb, sepse vetëm atëherë kur i bashkojmë zërat tanë, ata do të dëgjohen edhe përtej Kosovës e përtej Shqipërisë. Askush në trojet shqiptarët nuk duhet ta ketë preokupim se si ta shpëtojë fytyrën e Serbisë, sepse fytyra e vërtetë e saj është dëshmuar me politikën gjenocidale që ka ndjekur ndaj nesh”, ka thënë Osmani.

Osmani ka bërë thirrje që të bëjnë gjithë bashkë dhe të kërkojnë drejtësi për viktimat që shkaktoi Serbia.

“Por, zonja e zotërinj, motra e vëllezër, që të kumbojë ky zë çdo kund, ne duhet t’i bashkojmë zërat e përpjekjet tona në kërkim të drejtësisë. Që çdo përfaqësues shqiptar, në Kosovë, në Shqipëri, në Mal të Zi, në Maqedoni e tani edhe zëri kumbues i Shaip Kamberit në kuvendin e Serbisë, të kërkojë drejtësi për viktimat që i shkaktoi Serbia. Drejtësi për fëmijët e vrarë, drejtësi për motrat tonë që u dhunuan nga serbët si krim lufte, drejtësi për nënat që akoma kërkojnë bijtë e bijat e tyre që të kenë një vend ku të derdhin lotët e ku të vendosin lule, sepse Kosovës nuk mund t’i kërkojë askush më që të jep akoma më shumë. Kosova ka dhënë më të shtrenjtit e saj. Kosova ka dhënë mbi 1.000 fëmijë, shpirtra të njomë, të cilët sot do të mund të ishin këtu ku jemi ne, në këtë sallë ku merren vendimet për të ardhmen e shteteve tona, sikur Serbia mos t’ua këpuste jetën qysh në fillim”, ka thënë Osmani tutje.

Kurse i pari i Parlamentit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi në fjalimin e tij fillimisht ka folur për profilin e Osmanit ku edhe deklaroi se rrallë herë ka ndodhur që një politikane të mbajë përgjegjësi të mëdha e të rënda për shtetin dhe popullin e vetë. E për çka ai garantoi Osmani për mbështetjen e institucionit që ai drejton.

“Vjosa Osmani, kjo bijë e Mitrovicës dhe Kosovës është një politikane e re dhe shumë e respektuar. Ajo shquhet ndër profesionistë të reja dhe të rinj të Kosovës si juriste dhe si njeri i ligjit e diplomuar ekselnte në Universitetin e Prishtinës dhe atë të Pitesburgut të SHBA me një karrierë të pasur e të spikatur jo vetëm si profesor i drejtës por edhe në fushën e politikës. Prej muajit shkurt të këtij viti zonja Osmani është zgjedhur kryetare e kuvendit të dhe prej muajit nëntor është president në detyrë e Republikës së Kosovës. Rrallë ndodh që një politikanë aq më tepër një politikane të mbajë përgjegjësi kaq të madhe dhe kaq të rëndë për shtetin dhe popullin e vetë. Për këtë zonja Osmani ju garantoj që keni gjithë simpatinë, solidaritetin dhe gjithë mbështetjen tonë”, deklaroi Ruçi.

Ruçi foli edhe për thirrjet nga Specialja për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ka thënë se shqiptarët e Shqipërisë por edhe gjithë qytetarët e botës që janë në anën e së vërtetës dhe paqes janë në mbështetjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ju vini në Kuvendin e Shqipërisë në një periudhë zhvillimesh dramatike të Kosovës dhe prestigjin ndërkombëtar të saj. Thirrja e Dhomave të Specializuar të Hagës personaliteteve të larta të shteti ish-presidentit Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit dhe kryetarit të PDK Veseli, ish kryetarit të kuvendit Krasniqi dhe kryetarit të GP të VV, Selimi është një sfidë që duhet përballuar nga të gjithë me durim, kurajo, vizion, profesionalizim, me koherencë qëndrimesh dhe solidarizim politik dhe atë kombëtar. Kuvendi i Shqipërisë dhe gjithë shqiptarët dhe gjithë qytetarët e botës që janë në anën e së drejtës, që janë në anën e të vërtetës, që janë në anën e paqes janë në mbështeten e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë në anën e Kosovës, janë në anën e popullit të saj. Vepra e UÇK-së është lirim i Kosovës dhe pavarësia e saj e arritur me mbështetjen e popullit të Kosovës dhe me partneritetin, me aleatë të mëdhenj dhe strategjik të Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s”, ka thënë ai.

Ai shtoi edhe se në gjykimin për të vërtetën gjithkush mund të ketë interpretime të veta por nuk ka faktet e veta. Ruçi theksoi se drejtuesit e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të dinë ta mbrojnë të vërteten përballë drejtësisë dhe do ta vënë nderin në vend.

“Në gjykimin për të vërtetën gjithkush mund të ketë interpretime të veta por nuk ka faktet e veta. E vërteta është një dhe vetëm një. Kosova, ushtria çlirimtare e saj dhe udhëheqësit e saj ishin viktima përballë agresorit dhe jo e kundërta. Këtë të vërtetë pritet ta konfirmoj edhe Komisioni i posaçëm i Kuvendit të Shqipërisë i cili sapo ka filluar nga puna dhe do të përfundoj shumë shpejt me një qëndrim nëpërmjet një rezolute të Kuvendit të Shqipërisë. Ne jemi të bindur që drejtuesit e luftës së Çlirimtare të Kosovës do të dinë ta mbrojnë këtë të vërtetë përballë drejtësisë dhe do të vënë në vend nderin, dinjitetin dhe kontributin historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shërbim të popullit të vet, të lirësisë, drejtësisë dhe paqes”, deklaroi ai.

Osmani po qëndron në vizitë treditore në Shqipëri. Sot ajo bëri edhe homazhe pranë memorialit “Nëna Shqipëri” në Tiranë.

Kurse gjatë ditës së djeshme ajo bëri nderime te memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut në qytetin e Lezhës.

Kurse pasdite ajo u taku me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta të cilit i kërkoi që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë rezolutën përmes të cilës do ta dënonte gjenocidin serb të kryer në Kosovë.