Kryetarja e Kuvendit të Kosovës,  Vjosa Osmani ka pritur në takim lamtumirës shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, me rastin e përfundimit të misionit të saj diplomatik në Kosovë.

Osmani e uroi Apostolovën për punën e shkëlqyer si përfaqësuese e Bashkimit Evropian në Kosovë si dhe për koordinimin efektiv ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe BE-së.

Kryetarja Osmani pohoi se Republika e Kosovës qëndron e palëkundur në aspiratën e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Sipas një komunikate për media, Osmani gjatë misionit diplomatik të Apostolovës, prezenca e BE-së është ndjerë pothuajse në të gjitha fushat dhe asistenca nga BE-ja ka ndihmuar në adresimin e problematikave të ndryshme me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës në baza të përditshme. Në mesin e tyre, Osmani ka vlerësuar në veçanti edhe angazhimin aktiv të Apostolovës për fuqizimin e grave dhe avancimin e të drejtave të tyre.

Në fund, kryetarja Osmani i uroi Apostolovës suksese në angazhimin e mëtejmë dhe e siguroi atë që institucionet e Kosovës do të jenë mikpritëse ndaj shefes së re të Zyrës së BE-së në Kosovë për të vazhduar bashkëpunimin me BE-në./21Media