Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka mbajtur sot takime me Lëvizjen Vetëvendosje, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

“Në takime është diskutuar për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe është thënë se data e mbajtjes së tyre do të mund të caktohet tek pasi që palët ta pranojnë Aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin për media.

Nesër u.d. Presidentja Osmani do t’i vijojë takimet me përfaqësuesit e subjekteve të tjera politike.

Në orën 11:00, u.d. Presidentja do të takojë përfaqësues të koalicionit Nisma-AKR, në orën 12:00 ata të Grupit 6+, ndërkaq në orën 13:00 do ta përmbyllë ciklin e takimeve me përfaqësuesit e Listës Serbe.

Gjykata Kushtetuese vendosi dje pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje mbi votën kontestuese të deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor, sipas së cilës vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme brenda 40 ditësh./21Media