Diskutimi për mjedisin sot i ka bërë bashkë zyrtarët institucional në Obiliq. Kryeparlamentarja, Vjosa Osmani bashkë me deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe Avokatin e Popullit, kanë nisur këtë të hënë vizitat e gjelbërta në komuna. Të parit të komunës, Xhafer Gashi dhe shumë të rinjve iu premtua plotësimi me akte nënligjore i Ligjit të Obiliqit dhe ndërhyrje emergjente në përmirësimin e ambientit në këtë komunë.

Duke kërkuar vënien e ambientit top-prioritet në politikën kosovare, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani tha se çështja e ambientit duhet të shihet si potencial për zhvillim ekonomik në të ardhmen.

“Çështjen e ambientin nuk duhet të shohim si brengë të së sotmes por si potencial për zhvillim ekonomik në të ardhmen…ne duhet të fillojë si buxhetin ambientor, kemi dol në të kaluarën për buxhetimin femror, por tani duhet të shohim se secili buxhetim që do të bëhet të jetë edhe ambientor”, tha ajo.

Se qyteti i Obiliqit është dëmtuar më së shumti për shkak të ndotjes së ambientit, e tha edhe kryesuesja e grupit të Gjelbërve, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusuari-Lila.

Ajo tha se mënyrë urgjente duhet të bëhet një strategji e mjedisit para çdo investimi.

“Faturën më të rëndë e ka pagu Obiliqi dhe qytetarët qe jetojnë këtu. Ne nuk mundem të merremi me strategjinë e energjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm dhe të harrojmë ose të themi hajt se me mjedis merremi ma vonë. Nëse nuk është strategji të mjedisit nuk ka zhvillim fare”, tha ajo.

Ndërsa, kryetarja e komisionit për shëndetësi, Albena Reshtiaj tregoi se nga cilat sëmundje mund të atakohen qytetarët e Obiliqit.

“Qytetarët e Komunës së Obiliqit janë më të rrezikuarit në sëmundje të ndryshme. Duke filluar nga sëmundjen respiratore, frymëmarrje, kardiovaskulare dhe sëmundjeve malinje. Është një përgjegjësi qytetarë dhe obligim i neve që bëjmë politika për të vepruar në mënyrë urgjente. Shëndeti i qytetarëve mbi të gjitha”, tha ajo.

Ndërkaq, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi kërkoi që Ligji për qytetin që udhëheq të plotësohet me akte nënligjore.

“Ka shumë për të bërë për ligjin sepse nuk është plotësuar me akte nënligjore, por prezenca zyrtarëve institucional tregon se ne edhe më tutje duhet të punojmë bashkë për ndaljen e ndotjes në qytetin tonë”, tha ai.

Pjesë e këtij paneli të diskutimit ishte edhe avokati i popullit, Hilmi Jashari, i cili kërkoi nga Kuvendi i Kosovës të trajtojë gjithë autoritetet që bëjnë shkelje të rregullave mjedisore.

“Të jetë Kuvendi ai që trajton këto tema, pasi ka mandat kushtetues dhe ligjor për t’i mbajtur përgjegjës dhe llogaridhënës të gjithë ato autoritete që bëjnë shkelje që i kemi të konstatuara në Obiliq”, tha ai.

Në këtë panel, mes tjerash u theksua se Kuvendi i Kosovës brenda dy javëve do të iniciojë një debat parlamentar për liqenin artificial të krijuar në Obiliq.