Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha sot priti në takim ushtruesen e detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmanin. Pas këtij takimi Basha dhe Osmani dolën me një konferencë të përbashkët për media.

I pari i Partisë Demokratike u shpreh se Kosova meriton një mbështetje më të madhe të Shqipërisë duke premtuar se kjo do të ndryshojë me ardhjen e tij në pushtet. Ai tha se i siguron institucionet e Kosovës se shumë shpejt do ta ketë përkrahjen e plotë të Shqipërisë, shkruan rtv21.tv.

Në anën tjetër u.d i Presidentit, Vjosa Osmani u shpreh se duhet të punojnë së bashku pa marrë parasysh çfarë partie i takojnë. “Të punojmë bashkarisht që flamuri i Kosovës dhe Shqipërisë të valvitën krah njëri-tjetrit në të gjitha Organizatat ndërkombëtare”, tha ajo/

Osmani u shpreh se “i kemi dy flamuj, jemi dy shtete të pavarura. Por, jemi një shpirt, një shpirt i pamposhtur”. Ajo tutje tha se kërkesa që Shqipëria të jetë shteti i dytë pas Kosovës që të dënojë gjenocidin serb në Kosovë, është kërkesë legjitime./21Media