Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori Westerlund
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Suedisë, Jonas Westerlund, të cilit i ka uruar mirëseardhje.
Raportet ndërmjet të dy shteteve janë vlerësuar të mira, teksa Osmani shfaqi besimin se zhvillimet pozitive të raporteve bilaterale ndërmjet Kosovës e Suedisë do të vazhdojnë edhe gjatë mandatit të ambasadorit Westerlund.
Osmani falënderoi shtetin e Suedisë për ndihmën e deritashme, duke kërkuar që kjo mbështetje të vazhdojë edhe më tej, e sidomos për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Në takim po ashtu u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon. Osmani përsëriti qëndrimin se në dialogun me Serbinë, Kosova është palë konstruktive dhe se ky proces duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë.
Sipas presidentes, vendimet e institucioneve të Kosovës janë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe se institucionet e Kosovës janë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtar.
Presidentja dhe ambasadori në takim kanë diskutuar edhe për thellimin e raporteve në sferën e politikës së jashtme, fuqizimin e demokracisë, sundimin e ligjit, barazisë gjinore dhe mbrojtjes së mjedisit./21Media