Osmani pyet Kushtetuesen, a i takojnë LVV-së tre anëtarë në KQZ?

Vetëm pak ditë para përfundimit të mandatit të saj, Osmani ka vendosur që të bëjë emërim të pjesshëm të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Kabineti i presidentes Osmani ka konfirmuar për RTV21, se i është drejtuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës për sqarim lidhur me procesin e emërimit të anëtarëve të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kërkesa drejtuar Kushtetueses erdhi pasi që LVV ka dërguar tek presidentja Osmani tre emra për anëtar të KQZ-së.
“Presidentja Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje. Sapo ta marrë përgjigjen, do të vijohet me emërim. Në rrethanat aktuale janë bërë më shumë propozime nga grupet parlamentare sesa që parashikohet me Kushtetutë, prandaj duhet ta sqarojë këtë çështje Gjykata para se të vijohet tutje”.
Kërkesa e LVV-së për shtimin e numrit të anëtarëve në KQZ u arsyetua me rezultatin zgjedhor të 28 dhjetorit ku LVV mori mbi 51%.
Më e dëmtuara në këtë proces mbetet Partia Demokratike e Kosovës, e cila rrezikon ta humbasë një anëtar në KQZ.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar për RTV21, pranimin e kërkesës përkitazi me numrin e anëtarëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. /RTV21/21Media