U.d e presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas zgjedhjeve në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut.

“Republika e Kosovës dëshmoi se është e aftë të organizojë zgjedhje të lira, fer e demokratike, nëpërmjet të cilave qytetarët duke votuar, treguan se e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur janë bazament i demokracisë dhe respektimit të lirive politike!”, ka thënë Osmani.

Osmani i ka uruar të gjithë qytetarët e Podujevës dhe ata të Mitrovicës së Veriut për maturinë e treguar gjatë tërë këtij procesi, përkundër faktit se u realizua në kohë pandemie.

“Përgëzoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjithë të angazhuarit e tjerë për punën dhe angazhimin e madh me të cilin u arrit organizimi i zgjedhjeve sipas standardeve demokratike. Falënderoj poashtu përfaqësuesit e shoqërisë civile për angazhimin në vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve si dhe mediat për raportimin nga këto dy komuna!”, ka thënë Osmani.

Në rezultatet preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pa numërimin e votave me kusht dhe atyre me postë, Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje ka fituar me 51.64% të votave në Podujevë. Në konferencën e fundit të KQZ-së, kryetarja Valdete Daka ka bërë të ditur se Nexhmi Rudari, kandidati i LDK-së në Podujevë, parti kjo që deri tani ka qeverisur me këtë komunë për 20 vjet, ka marrë 35.97% të votave. “Shpejtim Bulliqi, Lëvizja Vetëvendosje ka 51.64% të votave të numëruara, Nexhmi Rudari LDK ka 35.97 për qind dhe Naim Fetahu PDK ka 12.40 për qind të votave të numëruara. Këto janë rezultatet preliminare pa votat me musht dhe votat jashtë vendit. Në Mitrovicën e Veriut Lista Serbe Milan Radojeviq ka 89.81 për qind të votave të numëruara, Erden Atiq nga VV ka 3.68 për qind, Florent Azemi PDK 3.54 për qind”, ka thënë Daka./21Media