Konferenca për parlamentarizmin: Përfshirja e grave, parakusht për paqe dhe demokracinë

Pjesëmarrja e grave në proceset e paqes dhe sigurisë nuk është thjeshtë një çështje barazie dhe e të qenit i drejtë, por është një gurthemel për arritjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në vendin tonë, në rajon dhe më gjerë.

Kështu u tha në konferencën rajonale “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor”, derisa u theksua se agjenda për gratë, paqen dhe sigurinë, ndër të tjera qëllim kryesor e ka pozicionimin e grave si partnere të barabarta në të gjitha fushat që lidhen me paqen dhe sigurinë.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se në bosht të historisë së Kosovës, si në kohën e rezistencës paqësore, ashtu edhe gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe të pasluftës në procesin e ndërtimit të paqes e shtetndërtimit, roli i grave ka shtyrë përpara në mënyrë vendimtare paqen dhe sigurinë në vendin tonë.

Ajo u shpreh e lumtur që Kosova është përzgjedhur si një nga katër vendet në tërë botën në të cilat do te themelohet Qendra rajonale e ekselencës për gratë, paqen dhe sigurinë.

“Pjesëmarrja e grave në proceset e paqes dhe sigurisë nuk është thjeshtë një çështje barazie dhe çështje e të qenit i drejtë, por është një gurthemel për arritje e paqes dhe stabilitetit afatgjatë ne vendet tona, në rajonin tonë dhe më gjerë. Mbi të gjitha angazhimi ynë i përbashkët në këtë drejtim vjen natyrshëm duke qenë se më bosht të historisë tonë, më bosht të historisë së popullit tonë, të Kosovës tonë, në faza të ndryshme të saj, si në kohën e rezistencës paqësore, ashtu edhe gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe pasluftës në procesin e ndërtimit të paqes, shtetndërtimit, por edhe sot përderisa fuqizojmë pozitën tonë në arenën ndërkombëtare ka qenë pikërisht roli i grave që ka shtyrë përpara në mënyrë vendimtare paqen dhe sigurinë në vendin tonë dhe më gjerë. Gratë dhe vajzat e Kosovës janë kampione të kësaj agjende, në fakt janë edhe më shumë se kaq, janë sinonim i vetë kësaj agjende. Prandaj, Kosova e meriton të jetë pikë reference në hartën globale sa i përket angazhimit serioz në drejtim të jetësimit të saj… Prandaj, më vjen shumë mirë që sot si rezultat i kësaj pune të përbashkët edhe të deputeteve të Kuvendit të Kosovës dhe angazhimit të pakursyer të të gjithëve përfshirë partnerëve që punojnë krah për krah me ne, Kosova është përzgjedhur si një nga katër vendet në tërë botën në të cilën në të cilat do te themelohet Qendra rajonale e ekselencës për gratë, paqen dhe sigurinë”, tha Osmani.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjucfa tha se në prag të 25-vjetorit të miratimit të Rezolutës 1325 nga Kombet e Bashkuara, e cila erdhi si rikonfirmim i rolit të rëndësishëm dhe rritjes së numrit të grave në proceset e paqes e të sigurisë, vlerësoi se është e rëndësishme të flitet për progresin dhe sfidat në përfshirjen e dimensionit gjinor në këto procese.

Konjufca theksoi se përfshirja e grave në procesin e paqes dhe sigurisë është parakusht për paqe dhe demokraci të qëndrueshme.

“Ky aktivitet që po zhvillohet sot është dëshmia më e mirë e këtij bashkëpunimi. Në prag të 25-vjetorit të miratimit të Rezolutës 1325 nga Kombet e Bashkuara, e cila erdhi si ri konfirmim i rolit të rëndësishëm dhe rritjes së numrit të grave në proceset e paqes e të sigurisë, është e rëndësishme të flasim për progresin dhe sfidat ën përfshirjen e dimensionit gjinor në këtë procese. Siç e dimë agjenda për gratë, paqen dhe sigurinë, ndër të tjera qëllim kryesor e ka pozicionimin e grave si partnere të barabarta në të gjitha fushat që lidhen me paqen dhe sigurinë. Në këtë drejtim Kosova është një shembull i mirë, i përkushtimit për përmbushjen e agjendave globale pavarësisht faktit që shpeshherë jemi të kufizuar për t’i dhënë zë punës sonë në këta organizma në të cilët ne ende nuk jemi anëtar. Ne kemi shumë shembuj të grave dhe vajzave të Kosovës që janë angazhuar aktivisht për të shtyrë këtë agjendë përpara, ashtu siç kanë kontribuar përgjatë gjithë etapave të shtetndërtimit tonë. Kosova përveç kësaj, arriti që ta zgjedhë edhe presidenten grua, vërtetë meriton një falënderim të veçantë sepse jeni një shtysë e madhe e kësaj kauze dhe është pjesë e përditshme e punës tuaj. Është thënë e rithënë shumë herë se përfshirja e grave në procesin e paqes dhe të sigurisë është parakusht për paqe dhe për demokracinë e qëndrueshme”, tha Konjufca.

Ndër të tjera, i pari i Kuvendit vlerësoi se thelbësorë është pjesëmarrja aktive e grave në çështjet e sigurisë, të drejtësisë dhe në zgjidhjen e konflikteve.

Pavarësisht sfidave evidente, ai konsideron se duhet dhënë vëmendje progresit të shënuar ndër vite dhe përpjekjeve të përbashkëta që gratë dhe vajzat të jenë pjesë e tryezave të diskutimit e të vendimmarrjes.

Ndërkaq, në emër të deputeteve gra në Parlamentin e Kosovës, foli Eliza Hoxha nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila tha se Kosova dhe vendet e rajonit kanë përqafuar rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për gratë në paqe dhe siguri.

Hoxha potencoi se Kosova është me fat që në forcën e saj të sigurisë dhe në polici ka shumë gra të zonja të cilat kanë shënuar histori suksesi.

“Në shoqëritë ku gratë janë të fuqizuara politikisht dhe ekonomikisht gjithçka qëndron dhe duket më mirë. Porse në shoqëritë tona të pasluftës dhe të tranzicioneve të shpejta dhe të shpeshta edhe politike, historike dhe kulturore, shoqërore në periudha të kompresuara kohore sfidat e grave për barazi e barabarësi për parandalim e mbrojtje nga dhuna, për rikuperim, për gjithë përfshirje, për pjesëmarrjen në jetën publike dhe në vendimmarrje dhe proceset e ndërtimit të paqes, vazhdojnë të mbeten të theksuara dhe jo plotësisht të adresuara. Kosova dhe vendet e rajonit kanë përqafuar rezolutën e këshillit të sigurimit të kombeve të bashkuara për gratë në paqe dhe siguri. Në katër shtyllat e saj shohim se angazhimet e akterëve institucionalë janë munduar të adresojnë çështje tematike dhe t’i mbështesin ato përmes planeve kombëtare për gratë në paqe dhe siguri si dhe përmes dokumenteve të tjera sektoriale dhe strategjike. Kosova kishte hartuar planin e saj të parë kombëtar për gratë në paqe dhe siguri në vitin 2011, me afat deri 2015 përmes një procesi gjithëpërfshirës me akterë nga të gjitha fushat për të identifikuar qëllimet, shumë prej të cilave ndërkohë ose janë rritur ose janë zbutur… Kosova është me fat që në forcën e saj të sigurisë dhe në polici ka shumë gra të zonja të cilat kanë shënuar histori suksesi”, tha Hoxha.

Back to top button