Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, përmes një mesazhi të fundvitit drejtuar aleatëve dhe miqve ndërkombëtarë të Kosovës, u ka kërkuar mbështetje për të ndjekur kryerësit e krimeve në Kosovë.

“Gjatë gjithë historisë sonë, populli i Kosovës vazhdimisht ka demonstruar një dëshirë të madhe për paqe, stabilitet dhe drejtësi. Ndërsa paqja është arritur, lufta për të vërtetën ende vazhdon. Pas më shumë se dy dekada, plagët e Kosovës nuk mund të shërohen pa drejtësi”, thotë Osmani ndër tjera

Osmani theksoi se janë mijëra gra që jetojnë me stigmën e padrejtë, për shkak se siç shprehet ajo, janë përdhunuar nga forcat serbe gjatë luftës, ndërsa asnjë person i vetëm nuk është ndjekur penalisht për këtë krim, të cilin ajo e quan të neveritshëm.

Osmani tutje thotë se si u.d e presidentes, kur historia dhe e vërteta sfidohet, është përgjegjësi e saj të sigurohet që të flitet për të me zë të lartë dhe të qartë që të dëgjojë gjithë bota.

“Nisur nga kjo, ne kërkojmë mbështetjen tuaj në ndjekjen tonë për drejtësi për krimet e luftës dhe gjenocidin serb, si dhe në kërkimin tonë për përgjegjësi për personat tanë të zhdukur”, shprehet Osmani.

Sot, gati 13 vjet nga formimi i shtetit tonë, Osmani deklaroi se tani është më e rëndësishme se kurrë që të vazhdojmë të përqafojmë dhe të promovojmë vlerat demokratike.

“Për këtë, ne duhet të vazhdojmë të luftojmë korrupsionin dhe të forcojmë institucionet tona si dhe perspektivën tonë ekonomike. Projekti i një shteti të pavarur dhe plotësisht funksional të Kosovës nuk është i mirë vetëm për ne, por është një garantues për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë. Por, përveç kuptimit të së kaluarës sonë, ne gjithashtu duam që bota të kuptojë potencialin tonë”, thotë Osmani.

Përmes kësaj video, Osmani i ka falënderuar aleatët dhe miqtë ndërkombëtarë të Kosovës,për mbështetjen e vazhdueshme gjatë pandemisë, kur edhe u godit ekonomia kosovare, ka folur edhe për gjenocidin dhe krimet e serbëve në Kosovë./21Media