Kryetarja e Kuvendit, njëherësh edhe ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, është rikthyer pas dy javësh në izolim.

“Jam rikthyer në zyre pas një izolimi dyjavor për shkak të virusit Covid-19. Kam bërë thirrje gjithnjë, e tani pas ekperiencës time dhe të familjes time me virusin, ju lutem sërish që të bëni kujdes të shtuar e të vazhdueshëm. Tashmë virusi është çdoku. Ne ishim me fat ta luftojmë virusin me sukses, por, fatkeqësisht, ky nuk është fati i të gjithëve”, ka thënë Osmani në një video të publikuar në “Facebook”.

Osmani ka thënë se Covid-19, ka lënë shumë familje pa më të dashurit e tyre.

“Derisa bashkëndjejmë me ata që janë goditur më së shumti, inkurajojmë ata që janë në vijën e parë të frontit me virusin, e nderojmë kujtimin e atyre që nuk janë më në mesin tonë, ky fundvit le të na shërbejë për të reflektuar mbi atë se çfarë çmojmë më së shumti në jetë, çka na bashkon, dhe çka na jep motiv të dalim triumfues ndaj këtij armiku të përbashkët. Të vlerësojmë e të jemi falënderues për njerëzit që janë në jetët tona, e mënyra më e mirë për t’u dëshmuar dashurinë e respektin në këto kohë është duke mbajtur distancën, pastruar duart, e duke mbajtur maskën. Të gëzojmë bekimet tona duke treguar kujdes. Duke u kujdesur për veten, kujdesemi edhe për të tjerët. Prandaj, edhe njëherë distanca, duart, maska!”, ka thënë Osmani.

U.d e detyrës së Presidentit ka njoftuar se ishte infektuar me koronavirus më 17 nëntor./21Media