Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani sot shfuqizoi katër dekrete për konsujt  të përgjithshëm, konkretisht për konsujt e përgjithshëm në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.

Përmes një komunikate të dërguar për media janë dhënë disa arsye në lidhje me shkarkimin e këtyre dekreteve.

“Sa i përket tri rasteve të para, bazuar në praktikën diplomatike e konsullore, konsullatat e përgjithshme, si rregull, nuk hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe Ambasada. Për më tepër, bazuar në informatat që na janë dërguar, për këta konsuj të përgjithshëm nuk kishte ekzekuaturë/pëlqim nga shteti pritës.  Ndërkaq, sa i përket rastit të katërt, atij të konsullit në Tiranë, u.d. Presidentja Osmani ka vendosur ta shfuqizojë dekretin për emërimin e konsullit të përgjithshëm, në përputhje me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, propozim ky i cili nuk ishte marrë për bazë nga Presidenti paraprak”, bëhet e ditur në komunikatën e dërguar për media.

Gjithashtu në këtë komunikatë është theksuar se Osmani do të vazhdojë të insistojë, që të mos tejkalohet kuota e emërimeve politike, e paraparë me Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, dhe që emërimet të bëhen nga radhët e diplomatëve të karrierës./21Media