Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani në një takim me ambasadoren holandeze Gerrie Willems, bisedoi për raportet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Holandës. U diskutua edhe rëndësia e ratifikimit të disa marrëveshjeve ndërkombëtare që ndërlidhen me rimëkëmbjen nga pandemia Covid-19 dhe të cilat ndodhen në procedurë kuvendore.

“Në lidhje me aktualitetin politik dhe zhvillimet rreth dialogut me Serbinë, u vlerësua se Kosova duhet të tregoj maturi dhe pjekuri politike. Ishte vlerësim i përbashkët se roli i Kuvendit në procesin e dialogut është krucial, në raport me rritjen e transparencës dhe përmbylljes eventuale të këtij procesi. U diskutua edhe perspektiva evropiane e Kosovës, për të cilën fuqizimi i sundimit të ligjit është jetik”, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim, u fol edhe për rritjen e rolit të Kuvendit të Kosovës dhe trupave të tij në procesin e integrimit evropian, posaçërisht pas riorganizimit të fundit të Qeverisë me dikasteret që kanë mandat dhe përgjegjësi parësore integrimin evropian./21Media