"Votimi i marrëveshjes së re të kyçjes KOSTT – ENTSO-E jetik për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të energjisë në vend"

“Votimi i marrëveshjes së re të kyçjes KOSTT – ENTSO-E jetik për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të energjisë në vend”

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës,Vjosa Osmani, priti sot në takim përfaqësuesit e KOSTT, me rastin e zhvillimeve te fundit në lidhje me votimin e marrëveshjes së re të kyçjes KOSTT – ENTSO-E.

Osmani tha se votimi pozitiv për marrëveshjen e re të kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E nga ana e Operatorëve te Sistemeve të Transmisionit të Evropës (që operojnë brenda asociacionit ENTSO-E), është një hap historik për vendin, e sidomos një zhvillim tejet pozitiv për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të energjisë.

“Arritja e kësaj marrëveshjeje do të ndikojë dukshëm në përmirësimin e shërbimeve energjetike në vend, do t’i hap rrugë investimeve të reja në këtë fushë si dhe do të kontribuojë në bashkëpunimin energjetik rajonal. Mirënjohje e veçantë shkon për aleatët ndërkombëtarë, për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, e në veçanti Qeverisë Gjermane dhe KfW, për investimet e rëndësishme në avancimin e rrjetit të transmisionit”, theksoi në mes tjerash Osmani.

Nga ana e përfaqësuesve të KOSTT u vlerësua bashkëpunimi korrekt dhe profesional me Kuvendin e Kosovës, që njëherësh është edhe aksionar kryesor i KOSTT-it. U rikonfirmua rëndësia e madhe e marrëveshjes së re për arritjen e pavarësisë energjetike, si dhe u theksua rëndësia e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë në përmbylljen e suksesshme të këtij procesi.

Në takim, palët trajtuan dhe çështjen e vështirësive me të cilat po ballafaqohet sektori energjetik gjatë periudhës së pandemisë, adresimin e obligimeve dhe çështjeve financiare, si dhe u diskutua mbi implikimet dhe sfidat që rrjedhin nga mungesa e bordit të drejtorëve të KOSTT, në operimin dhe menaxhimin e kompanisë.

Në takim ishin prezentë Ilir Shala, kryeshef ekzekutiv i KOSTT, Kadri Kadriu, zv.kryeshef ekzekutiv dhe Visar Hoxha, menaxher i Zyrës Ligjore/sekretar i Kompanisë, si dhe anëtarë të kabinetit të kryetares. /21Media