Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk është racionale që ajo të përfshihet në procesin e dialogut në Bruksel, por as të marrë përsipër marrëveshjet e negociuara, siç u shpreh ajo, nga të tjerët.

Duke folur rreth dialogut Kosovë-Serbi, gjatë një konference për medie bashkë me presidenten e Këshillit Kombëtar Zviceran, Isabelle Moret, Osmani tha se vazhdimi i menjëhershëm i dialogut do ta vendoste Kosovën në një pozitë të pafavorshme, pas zhvillimeve të fundit në vend.

Ajo ka kërkuar nga partitë politike të unifikojnë qëndrimet e tyre rreth dialogut, pasi sipas saj, ka paqartësi rreth vazhdimit të këtij procesi.

“Nuk e kam quajtur pezullim, megjithatë duke parë zhvillimet e fundit momenti aktual do ta vendoste Kosovën në një situatë më të pafavorshme. Mendoj që si parakusht është që të gjitha forcat politike në vend, të ri-unifikohen rreth një qëndrimi të vetëm sa i përket dialogut. Deri tani ka pasur laramani qëndrimesh, madje edhe brenda koalicionit qeverisës, që është për të ardhur keq e lëre më të një spektri më të gjerë politik. Prandaj kam kërkuar që të ri-konfirmohen qëndrimet politike përtej atyre fjalive të zakonshme”, ka thënë Osmani.

Ndërkaq ka bërë thirrje që të gjitha partitë politike të ulen dhe të diskutojnë lidhur me qëndrimet për secilën temë dhe jo të merren vendime të ngutshme sikur në të kaluarën.

“Të gjitha forcat politike në Parlamentin e Kosovës të ulen dhe të diskutojmë lidhur me qëndrimet e Kosovës për secilën temë, pikë dhe jo të vendoset parlamenti në situata të ngjashme me ato në vitin 2013, kur merret vesh çfarë po nënshkruhet vetëm pak minuta para ratifikimit. Duke pasur parasysh që kjo do të jetë marrëveshje finale dhe ne synojmë që të jetë marrëveshje për njohje reciproke në kufijtë aktualë dhe me rregullimin aktual të brendshëm kushtetues, është e domosdoshme që për ta pasur Kosovën tonë të fortë në tavolinë, duhet të kemi përpjekje më të madhe për unifikim”, ka thënë Osmani.

Për më tepër, Osmani ka paralajmëruar se nëse procesi i dialogut vazhdon së shpejti, Kosova do të gjendej në një situatë të pafavorshme, pasi që spektri politik duhet të diskutojë paraprakisht detajet mbi vijat e kuqe në bisedime.

“Unë nuk e kam fjalën për shtyrje të dialogut, shtyrje afatgjate, mirëpo e kam fjalën për një përpjekje më të madhe të brendshme tonën, dhe po ashtu duke i pasur parasysh zhvillimet e fundit nëse vendoset të vazhdohet menjëherë dialogu, tash këto ditë, nuk e besoj që Kosova do të jetë në situatë të favorshme që të vazhdoj. Spektri politik në Kosovë duhet të ulet dhe të merremi vesh në detaje se si do të mbrohet secili qëndrim, si zbërthehet në pika konkrete secili qëndrim që ne e përmendim aty si vijë e kuqe, ta zëmë si çështja e të pagjeturve”, ka thënë Osmani.

E pyetur se a do të jetë e përfshirë në dialog, Osmani ka thënë se nuk do të ishte racionale të përfshihet në një proces në të cilin nuk kishte qenë nga fillimi, dhe as të merr përsipër marrëveshjet e negociuara nga të tjerët.

“Si ushtruese e detyrës së presidentit por as si kryetare e parlamentit, askush nuk ka kërkuar që të përfshihem në dialog. Edhe ashtu nuk besoj se do të ishte racionale që unë të përfshihem në një proces të cilin nuk kam qenë nga fillimi. Unë do të kërkoj nga pozita e kryetares së Kuvendit, që të gjitha forcat politike në Kuvend të jenë të involvuar në këtë proces, por tash nuk besoj se do të ishte racionale që të futem në një proces në të cilin nuk kam qenë nga fillimi, ose të marrë përsipër marrëveshjet të cilat i kanë negociuar të tjerët”, ka thënë Osmani.