Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim një grup të profesionistëve nga fusha e psikologjisë në kuadër të muajit të shëndetit mendor.

Në këtë takim u diskutua krijimi i një linje të vazhdueshme bashkëpunimi ndërmjet profesionistëve të kësaj lëmie dhe institucioneve të vendit për temat që kanë të bëjnë me shëndetin mendor.

Kryetarja Osmani ka thënë se periudha e pandemisë është shoqëruar më vështirësi edhe nga aspekti i shëndetit mendor, ndaj ka thënë se duhet marrë masa parandaluese nga pasojat eventuale të shkaktuara nga kjo situatë.

Profesionistët, ndërkaq e njoftuan kryetaren Osmani se janë marrë me trajtimin e kategorive specifike, siç janë të moshuarit apo studentët. Sipas tyre, në një shoqëri e cila dominohet nga rinia, është më rëndësi të krijohet ambient ku maksimalizohet potenciali i individit. Më tej, ata kanë thënë se pandemia ka rritur pabarazinë ndërmjet kategorive të ndryshme sociale.

Të dy palët u pajtuan se problemet e shëndetit mendor nuk duhet të trajtohen vetëm nga profesionistët, por duhet ngritur vetëdija qytetare, në mënyrë që problemet e tilla ta marrin vëmendjen e duhur nga ana e institucioneve.

Gjithashtu, u tha se çështjet e shëndetit mendor nuk duhet trajtuar përgjatë një muaji apo në raste krizash, por duhet të jetë preokupim i vazhdueshëm institucional.​