Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit duke thënë se ky Bajram na gjeti larg njëri-tjetrit, por afër me zemër dhe me urimin për ditë më të mira!

“Shkaku i pandemisë Covid-19, do të kujdesemi që sot ta urojmë nga distanca secilin besimtar për Kurban Bajram dhe ta rikujtojmë se njerëzimi gjithmonë përballet me sakrifica. Kjo nuk do të jetë pengesë për festë dhe urim që Bajrami i ardhshëm të mund të kremtohet afër njëri-tjetrit dhe kur ditët e rënda si këto që po i kalojmë do t’i takojnë historisë! Urime Kurban Bajrami të gjithë besimtarëve myslimanë! Paqja, shëndeti, mirësia e begatia qoftë me ju dhe familjet tuaja!”, ka uruar Osmani.

Në këtë ditë është e rëndësishme që të prehet kurbani i cili sipas fesë islame duhet të ndahet në tri pjesë, një pjesë për vete, një pjesë për të afërmit dhe pjesa tjetër duhet të shpërndahet për të varfrit. Festën e Kurban Bajramit e festojnë myslimanët në mbarë botën./21Media