Osmani-ushtarëve të rinj: Jam krenare që jeni trashëgimtarë të UÇK-së

(Lajm i përditësuar)


Forcës së Sigurisë së Kosovës i janë bashkangjitur edhe një gjeneratë e ushtarëve të rinj. 325 pjesëtar të rinj të kësaj force janë betuar për shërbim në këtë institucion, numër ky më i larti që ka diplomuar ndonjëherë në ushtri.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe autoritetet më të larta shtetërore, të cilët njëherazi u shprehen krenarë më të arriturat e FSK-së.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është shprehur krenare nga ky sukses i ushtareve të rinj, për të cilën tha se të njëjtit janë trashëgimtarë të UÇK-së.

“Ndjehem jashtëzakonisht e lumtur që sot në këtë ceremoni të veçantë ndajmë së bashku emocionet e festës dhe të kurorëzimit të suksesit të madh të 325 djemve e vajzave tona të gjeneratës 2023 të FSK-së. Të dashur ushtar të rinj të kësaj gjenerate, jam krenare që sot ju mbani uniformën e Forcave tona, jam krenare që jeni trashëgimtarë të UÇK-së dhe jam krenare veçanërisht me hapin e parë që hodhët në pragun e komandës së doktrinës dhe stërvitjes duke prekur ëndrrën tuaj për t’u bërë ushtar e ushtare të FSK-së e duke filluar rrugëtimin tuaj me plot sfida në mbrojtje të atdheut tonë të dashur, Republikës së Kosovës. Ju duke përvetësuar mësimet e trajnimet jeni formësuar dhe zhvilluar në ushtarak me karakter që përvetësojnë idealet e shenjta të detyrës, nderit dhe atdheut të ndërlidhura me vlerat dhe standardet më të larta të ushtarakeve të vendeve anëtare të NATO-s. Përmes programit ushtarak keni rrënjosur kompetencat themelore ushtarake të nevojshme për të fituar betejat në një rajon e një botë me sfida e kërcënime komplekse si dhe me frymëzimin e duhur për përsosmëri të vazhdueshme profesionale dhe shërbim ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.

Osmani tha se në cilësi të komandantes supreme përveç mirënjohjes dhe vlerësimit të lartë për sukseset dhe të arriturat e FSK-së, ka qenë vazhdimisht e interesuar për statusin e mirëqenies sociale ekonomike të personelit ushtarak të Forcës sonë, me ç’rast shtoi se gjatë vitit të ardhshëm do t’i adresojnë me prioritet çështjet e përmirësimit të mirëqenies socio-ekonomike.


Presidentja premton program kombëtar për FSK-në, liston 7 shtyllat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ceremoninë e certifikimit ushtarëve të rinj të FSK-së, ka premtuar program shtetëror të bazuar në 7 shtylla kyçe për përmirësimin e kushteve të punës dhe jetës së rekrutëve.

Ajo ka thënë se ky program është realizuar duke u bazuar në vlerësimin e sfidave, kërcënimeve dhe rreziqeve aktuale në mjedisin e vendit.

“Realizimi i pagesave të shtesave në paga për rrezikshmëri, realizimi i pagesave të punës me ndërrime, të kujdestarisë apo punën jashtë orarit, shërbimi i sigurimit jetësor dhe shëndetësor, ndërtimi dhe funksionalizimi i spitalit ushtarak deri në nivelin terciar për ushtarakët, policët dhe familjet e tyre si dhe për familjet e ushtarëve dhe policëve të rënë në detyrë, dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së”, ka thënë Osmani

Pikat tjera kanë pasur të bëjnë me përmirësimin e cilësisë së ushqimit dhe transportit, sigurimin e një banimi të përballueshëm nëpërmjet një programi të veçantë dhe krijimi i fondit kreditues me kushte të veçanta për ushtarët e FSK-së


Sot ceremonia e certifikimit të ushtarëve të rinj të Stërvitjes Ushtarake Bazë të FSK-së

Sot mbahet ceremonia e certifikimit të ushtarëve të rinj të gjeneratës së dytë të Stërvitjes Ushtarake Bazë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kjo ngjarje pritet të zhvillohet me fillim nga ora 09:45.

Ceremonia e certifikimit të ushtarëve të rinj do të mbahet në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj.

Back to top button