Në prag të 24 majit, “ditës së Presidentit”, kryeparlamentarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, u shpreh se u përkujtua arkitekti i pavarësisë së Kosovës, presidenti historik, Ibrahim Rugova.

Osmani propozoi se vetura në të cilën ishte sulmuar Rugova 16 vjet më parë, të ruhet në muze. Kryeparlamentarja u shpreh se ajo veturë është dëshmi se Presidenti nuk thyente parimet as kur përballej me bombat.

“Sot, vetura në të cilën ndodhej presidenti Rugova atë ditë, së bashku me veturat e tjera të eskortës së tij, gjinden në oborrin e Kuvendit të Kosovës, në mëshirë të fatit. Si kryetare e Kuvendit të Kosovës, do t’u propozoj institucioneve përgjegjëse që këtë veturë, e cila është pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës, ta marrin nën mbrojtje. Atë veturë nuk guxon ta mbulojë pluhuri i harresës. Ajo është dëshmi se duhet ta ruajmë kujtesën kolektive e jo të bëhemi pjesë e amnezisë kolektive. Është dëshmi se Presidenti nuk thyente parimet as kur përballej me bombat. Prandaj, ajo veturë duhet të jetë në muze, qoftë në Muzeun Kombëtar, qoftë në atë të Pavarësisë, sepse, sikur e gjithë veprimtaria e dr. Rugovës, ajo është dëshmi se vizioni për shtetin e pavarur, i prirë nga dashuria për vendin, është i pathyeshëm; se këmbëngulja për ta ndërtuar vendin është më e madhe se cilado pengesë dhe se kujtesa për lëvizjen për pavarësi është kujtesë për qenien tonë.”, ka shkruar mes tjerash Osmani.

Osmani deklaroi se presidenti Rugova kujtohet si njeri stoik e si model të papërsëritshëm të politikanit, “i cili ia dha politikës dimensionin më të çmuar të saj: atë human; e kujtojmë unifikuesin e jashtëzakonshëm të popullit të tij e përafruesin po kaq të madh të pikëpamjeve të ndryshme politike rreth vizionit për lirinë”./21Media