Osmani: Vrasja e Tahir, Enis e Hasan Zemajt ende nuk është ndriçuar

 

Sot bëhen 18 vjet nga vrasja e Tahir Zemajt, Enis Zemajt dhe Hasan Zemajt. Në 18 vjetorin e vrasjes së tyre ka shkruar presidentja në detyrë, Vjosa Osmani.

Osmani ka deklaruar opërmes facebook-ut se më 4 janar të 2003-tës në hyrje të Pejës ata janë vrarë nga një dorë tinëzare, për çka ka theksuar se vendi humbi një komandat lufte të shkolluar dhe veprimtar të shkëlqyer.

Osmani ka shtuar se sikurse vrasjet e shumë veprimtarëve të tjerë edhe kjo vrasje mbeti e pandriçuar.

Osmani ka bërë thirrje për drejtësi.

“Sot është 18-vjetori i vrasjes së komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, heroit të kombit, Kolonel Tahir Zemajt, djalit të tij, Enisit, si dhe kushëririt Hasan Zemajt. Ata u vranë pabesisht nga një dorë tinëzare, më 04 janar 2003, në hyrje të Pejës. Ne humbëm një komandant lufte të shkolluar dhe një veprimtar të shkëlqyer, si dhe dy djem në lulen e rinisë, vetëm pse i njohën dhe i respektuan institucionet e vendit të ndërtuara nga Presidenti Rugova dhe nuk u nënshtruan para kërcënimeve. Për më tepër, vrasja e tyre, sikur edhe e shumë veprimtarëve të tjerë, mbeti sot e kësaj dite e pazbardhur. Andaj, derisa e rikujtojmë sot këtë humbje të madhe, nuk mjafton vetëm të bëjmë thirrje për drejtësi, por duhet t’ia kujtojmë vetes po ashtu se është detyrim yni që të bëjmë shtet ligjor, i cili i mbron qytetarët e vet dhe e vendos drejtësinë në vend për krimet e kryera, të çfarëdo kohe qofshin ato. Vepra e komandant Zemaj mbetet e shënuar në historinë e Kosovës dhe gurëthemel i përpjekjeve për pavarësi”, ka shkruar Osmani.

Back to top button