Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas sulmit terrorist në Vjenë. Osmani ka thënë se zemrat e kosovarëve janë me njerëzit e Austrisë, teksa ka shtuar se Kosova është  gjithmonë në anën e tyre.

“Lajme të tmerrshme nga Austria, qyteti i muzikës dhe kulturës. Më e rëndësishmja, qyteti i paqës. Zemrat tona janë me njerëzit në Austri. Po i dërgoj lutjet tona dhe solidaritetin me të gjithë ata që u përballen me këtë sulm terrorist. Kosova është gjithmonë në anën tuaj”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Policia austriake ka informuar sonte se disa njerëz janë plagosur në Vjenë ku sipas informacioneve të para një sulmues ka qëlluar në drejtim të policit që ishte duke ruajtur një sinagogë, i cili është në gjendje kritike për jetën.

Agjencia austriake e lajmeve APA ka cituar Ministrinë e Brendshme të vendit të ketë deklaruar se një sulmues është vrarë dhe një tjetër mund të jetë në arrati. Karl Nehammer, zyrtar i lartë të sigurisë së vendit, ka deklaruar se disa njerëz janë plagosur në një sulm në kryeqytetin Vjenë dhe mund të ketë edhe përfundime me fatalitet. Ai ka thënë se kishte disa sulmues të përfshirë dhe se një sulmues mund të jetë vrarë dhe një tjetër ndodhet në arrati./21Media