Lideri i Aleancës Kosova e Re (AKR-së) Behgjet Pacolli, ka reaguar pas dështimit të Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.

Ai ka thënë se mbetet e paqartë se kur do të ketë një seancë për Presidentin.

“Gjithë ditën e 2 Prillit pritej të filloj seanca për zgjedhjen e Presidentit por kjo seancë nuk filloj. Grupi parlamentar i LDK-së (anëtar i të cilit edhe unë jam) ishte pothuajse unik për zgjidhje konstruktive. Në fund të ditës, në vend të seancës për zgjedhjen e Presidentit, filloj një seancë tjetër (për Reformën Zgjedhore) në të cilën u verifikuan divergjenca te mëdha. Mbetet e paqartë se kur do të ketë një seancë për Presidentin(ten)”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Mbrëmë ka dështuar propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje që shqyrtimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme të bëhet me procedurë të përshpejtuar në Kuvendin e Kosovës. 65 deputetë të Kuvendit të Kosovës votuan pro propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, por kjo nuk mjaftoi që ky propozim të kalojë. 39 deputetë votuan kundër, duke bërë kështu që Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje, miratuar nga Qeveria Kurti, të mos kalojë./21Media