Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se votimi i Qeveirsë Hoti pritet të ndodhë javën e ardhshme. Por LDK-ja nuk mund të llogaritë ende në votën e deputetit Behgjet Pacolli. Kështu së paku la të nënkuptohet këshilltari i Pacollit, Naim Murseli.

Murseli në një shkrim në Facebook ka kërkuar nga institucionet të mos bëjnë presion në Gjykatën Kushtetuese.

“Arben Gashi nga LDK paska deklaruar se qeveria e re do të votohet javën e ardhshme. Askush të mos spekulon me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu të mos spekulohet me votën e z. Pacolli, kur ai ende nuk ka vendosur se a do të votojë qeverinë e re apo jo. Ajo çfarë është e sigurt është se ai do të respekton mandatin e tij të deputetit dhe që AKR nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re. Është e rëndësishme të respektohet vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese, dhe të mos provokohet situata nga askush.”, ka shkruar Murseli në Facebook./21Media