Pacolli: Exit-pollet janë joserioze, LVV do dalë fituese në komunat më të fuqishme

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka thënë se LVV është fituese e këtyre zgjedhjeve.
E njëjta tha se exitpollet janë joserioze, madje se Lëvizja do të dalë fituese në komunat më të mëdha.
“Ecuria e procesit zgjedhor është për çdo lavdatë. Kundërthëniet e mëdha mes exitpolleve të prezantuara në kanale televizive janë thelbësisht joserioze. Numri i votave dhe besimi i qytetarëve do të dyfishohet. Rezultatet do të dëshmojnë që në garë ka qenë Lëvizja Vetëvendosje kundrejt gjithë subjekteve tjera. Lëvizja do të dalë fituese në komunat më të fuqishme të vendit dhe do të jetë në balotazh në numrin më të madh të komunave. Kudo që do të jemi në balotazh do të fitojmë”, tha Pacolli.
Ajo tha se LVV do të dyfishojë votën në krahasim me zgjedhjet e fundit lokale, gjithashtu shtoi se në Prishtinë e Podujevë janë bindshëm të parët dhe do të shkojnë pa balotazh.
“Nga partia e tretë me vota që ishim në zgjedhjet e fundit lokale do të dalim bindshëm si partia e parë. Jemi partia e parë në nivelin lokal. Ne bëmë më së paku fushatë dhe dolëm të parët, shpenzuam më së paku para dhe kemi mbështetjen më të madhe”, shtoi Pacolli.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ), bëhet e ditur se pjesëmarrja në zgjedhjet lokale ka qenë rreth 43 për qind./21Media

Back to top button