Pacolli: Me investime të mëdha ndalojmë ikjen e të rinjve nga vendi

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli ka prezantuar Fabrikën e Përpunimit të Çelikut në Ferizaj e cila sipas tij ka të punësuar 250 punëtorë, numri i të cilëve pritet të shkojë në 400

Pacolli  ka shkruar në Facebook se Kosova ka nevojë të krijojë vende pune për të ndaluar kështu rendin e ikjes së të rinjve nga vendi.

Postimi i Pacollit në Facebook:

Ditë më parë, njërën pas tjetrës, i prezantova disa prej investimeve milionëshe të “Mabetex”-it në Kosovë, kryesisht fabrika të reja, të cilat na duhen shumë, sepse rinia e Kosovës vitet e fundit, shkaku i mungesës së një vendi pune, nisej drejt Perëndimit.

Pra, i bëmë këto investime për ta ndalur rininë në vendin e vet, edhe për ta zhvilluar dhe forcuar ekonominë e Kosovës dhe bërë shtet më i fortë.

Por, ajo çfarë bëmë deri më tash nuk është shumë dhe jo aq sa kemi thënë se do të bëjmë.

Po vazhdojmë të bëjmë edhe punë të tjera të mëdha për këtë vend, për këtë shoqëri të shëndoshë, kudo në Kosovë, pa ndarë dhe favorizuar një komunë a një tjetër.

Po investojmë aty ku po na jepet mundësia dhe ku po na ofrohen kushte për investime.

Punët e tjera do t’jua prezantojmë në ditët në vazhdim. Kjo që po jua prezantoj sot është Fabrika e Përpunimit të Çelikut në Ferizaj, në të cilën janë investuar mbi 25 milionë euro. Deri më tash në të janë punësuar 250 punëtorë, por s’është e largët koha kur nga kjo fabrikë do të realizojnë të ardhura mujore 400 familje të Kosovës. Që të jeni në dijeni, 95 për qind e prodhimit të kësaj fabrike është për eksport. Kosova, me prodhimet e veta, realizimi i të cilave do të mundësohet nga “Mabetex”-i, do të njihet në shtetet më të mëdha dhe të forta botërore. Dhe, meqë kemi mundësi, do të kryejmë edhe të tjera punë karshi këtyre të derimëtashme. Puna na forcon! Puna na bashkon!

Back to top button