Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i ka bërë thirrje të gjitha partitë politike që të kandidojnë me një vizion që e bën Kosovën më mirë se sot dhe jo me urrejtje dhe inate.

Pacolli ka thënë se “ne kemi nevojë për qartësi, prosperitet dhe stabilitet për Kosovën tani më shumë kurrë”.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se vota e një deputeti nuk është e ligjshme dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Këto janë kohërat më sfiduese politikisht të Kosovës, dhe tani ne kemi nevojë për pjekuri dhe respekt për vendimin e sotëm për të shkuar në janar në zgjedhje. Unë u bëj thirrje të gjitha partive që të kandidojnë me një vizion që e bën Kosovën më mirë se sot dhe jo me urrejtje dhe inate. Ne kemi nevojë për qartësi, prosperitet dhe stabilitet për Kosovën tani më shumë kurrë”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme. Vota e deputetit Etem Arifi që ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor./21Media