Këtë të martë u nënshkrua kontrata mes Ministrisë së Infrastrukturës në Shqipëri dhe kompanisë së Behgjet Pacollit që fitoi garën për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.

I pranishëm në aktivitet, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vlerësoi figurën e Pacollit dhe shprehu bindjen se ky projekt do të jetë shumë i bukur.

Sipas shefit të qeverisë, Pacolli e ka patur ëndërr të lërë gjurmë me një vepër të tijën në Shqipëri.

“Baca Behgjet e ka patur një ëndërr të tijën, një fiksim, për të bërë në Shqipëri një vepër që do të ishte emri i tij, gjurma e tij. Nuk ka ardhur kurrë tek unë dhe nuk ka vajtur as te të tjerët për të kërkuar leje ndërtimi për pallate, për vilat e veta apo të hyjë në procedura të tjera për të fituar lekë në Shqipëri. Kurrë, kurrë, asnjëherë! I mban gjërat brenda dhe mazallah se nuk i nxjerr. Më tha, si nuk mu dha mundësia të bëj diçka që të mbetet për Shqipërinë. Është vendi i duhur, me njeriun e duhur, në kohën e duhur, për të bërë diçka fantastike për Shqipërinë dhe për të bërë një gjë që të realizojë edhe ëndrrën e Baca Behgjetit, që emri i tij të kujtohet gjithmonë si një patriot i madh. Të gjitha i vuri në dispozicion të Kosovës, duke hyrë në një arenë balte, duke u përfshirë në një hapësirë si ajo e politikës shqiptare, me motivin për të lënë gjurmë. E ka patur ëndërr të vjetër që të bënte diçka në Vlorë. Një herë më tha që unë kurrë nuk e kisha ndërruar Kosovën nëse më ishte dhënë mundësia me lind dy herë, por me thënë të drejtën do isha menduar dy herë a në Kosovë, a në Vlorë me lind. Fan Nolin do ta çojmë në Amerikë, pa qenë nevoja për të qëndruar për orë të tëra në aeroporte”./vizionplus