Ministri i Jashtëm i Kosovës tha se do të shtrijnë prezencën diplomatike gjithandej nëpër botë

Ministri i Jashtëm i Kosovës tha se do të shtrijnë prezencën diplomatike gjithandej nëpër botë

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Popullore të Bangladeshit është lajm i mirë dhe një hap tjetër në drejtim të rritjes dhe thellimit të bashkëpunimit në mes dy vendeve. Ne, do të vazhdojmë praktikën e tillë të vendosjes së Marrëdhënieve Diplomatike me të gjitha shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe të shtrijmë prezencën dhe përfaqësimin tonë diplomatik gjithandej nëpër botë.

Kështu ka thënë Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli pas nënshkrimit të Marrëveshjes për vendosjen e Marrëdhënieve Diplomatike në mes dy vendeve.

Siç bëhet e ditur në komunikatë, marrëveshja është nënshkruar nga Përfaqësuesi i Përhershëm i Bangladeshit në Kombet e Bashkuara, Ambasadori, Masud Bin Momen, në njërën anë dhe Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në New York, Teuta Sahatqija në anën tjetër.

”Nëpërmjet kësaj, dy qeveritë janë pajtuar që të thellojnë marrëdhëniet miqësore në mes të dy vendeve, të zgjerojnë fushat e bashkëpunimit dy-palësh, si dhe të ndihmojnë njëra-tjetrën në rrafshin e politikës ndërkombëtare. Të frymëzuar nga parimet e Kartës së OKB-së, të dy shtetet janë zotuar se do të angazhohen në respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial dhe ndihmës në promovimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”, bëhet e ditur në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Po ashtu, marrëveshja është deponuar edhe në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Bangladeshi njohu Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran në muajin shkurt të vitit të kaluar. /21Media