Paga minimale 264 euro?, ekonomistët thonë se ndikimi i saj do të jetë minor

Është hapur rruga për ndryshimin e pagës minimale në Kosovë. Qeveria të mërkurën ka miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që e përcaktojnë pagën minimale.
Lidhur me këtë çështje, profesori i ekonomisë, Besnik Krasniqi për rtv21.tv ka deklaruar se ngritja e pagës minimale ka qenë e nevojshme, megjithatë, ka potencuar se ndikimi i saj do të jetë minor për shkak të ngritjes së lartë te çmimeve dhe inflacionit.
Ndërsa, ekonomisti Lulzim Beqiri ka potencuar se paga pre 264€ është rritja reale e pagës, duke u bazuar në rritjen ekonomike në vend, duke i shtuar kësaj, që ka mbi 10 vjet që nuk ka pasur diskutim për pagën minimale. Sipas tij, sektori privat ka qenë më i prekur sa i përket pagës minimale, pra ka pasë më shumë punëtorë të sektorit privat me pagën minimale.
“Këshilli Ekonomik Social i Kosovës, sipas Ligjit të punës, propozon rritjen e pagës minimale duke u bazuar në shumë faktor që i korrespondojnë rritjes ekonomike të vendit, mirëpo sipas informatave ata nuk janë pajtuar sepse ka pas grupe të cilat kanë kërkuar që paga minimale të jetë 400, disa sindikata 370 e të ngjashme, kujtojmë se paga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç, pagë kjo e cila nuk ka pësuar ndryshime që nga viti 2011, prandaj në mbledhjen e fundit të qeverisë së vendit është votuar që paga minimale të jetë 250 neto dhe të mos tatohet, me praktiken e kaluar pagat nuk janë tatuar deri në shumën 80€.”, ka bërë të ditur Beqiri për rtv21.tv
Profesori Krasniqi ka potencuar se rritja e pagës minimale do të ndikojë në rritjen e kostos së biznesit që pastaj te bizneset reflektohet si rritje e shpenzimeve. Sipas tij, mund të ketë përsëri ngritje të çmimeve dhe paga minimale nuk do të ketë ndonjë ndikim të madh te qytetarët.
“Spiralja e rritjes së çmimeve siç e quajmë ne ekonomistët ka ndikim shumë të madh në koston e jetesës. Në këtë spirale të rritjes së çmimeve rritja e pagës minimale do të ndikojë në rritjen e kostos së biznesit që pastaj te bizneset reflektohet si rritje të shpenzimeve. Në situata të tilla, bizneset do të mundohen që këtë zvogëlim të fitimeve për shkak edhe të rritjes së pagës ta përcjellin me rritje të çmimeve të produkteve të tyre. Kjo situatë do të ndikojë prapë në rritje të çmimeve dhe si rezultat paga minimale nuk do të ketë ndonjë efekt të madh real te qytetarët. Kjo ndryshe në teorinë ekonomike njihet edhe si “kurth i pagës minimale’”, ka bërë të ditur profesori universitar.
Ekonomisti Beqiri ka potencuar se edhe nëse bëhet paga minimale 264 euro, nuk i plotëson nevojat e qytetarëve.
“A i plotëson nevojat e qytetarëve një pagë e tillë, a mundet me jetua një konsumator me pagën prej 250 euro, duke marrë për bazë rritjen e kostos së jetesës, jo nuk i plotëson as për se afërmi, por rritja ekonomike është e tillë, mendoj se qeveria duhet të diskutoj çdo vit për pagën minimale sepse edhe nëse paga minimale bëhet 264 euro bruto prapëseprapë nuk i plotëson nevojat e qytetarëve, sepse inflacioni ka arrit shifrën dyshifrore pra mbi 10%. Mendoj se duhet hartuar politika afatgjata ekonomike e fiskale në mënyrë që të përmirësohet jetesa e qytetarëve të vendit, rrugës së mirë jemi edhe me ligjin e ri për pagat i cili do të kontribuoi shumë në mirëqenie.”, ka bërë të ditur ai.
I pyetur se a duhet menjëherë të rrisin pagat ato kompani që ofrojnë paga nën shumën e 264 eurove apo kanë ndonjë afat kohor, profesori i ekonomisë, Besnik Krasniqi ka deklaruar se në momentin kur hyn në fuqi, të gjitha entitet duhet të fillojnë zbatimin.
Ndërkaq, ekonomisti Lulzim Beqiri ka bërë të ditur se duhet një kohë e shkurtër që të përgatiten institucionet.
“Me rastin e miratimit aprovimit zyrtar që paga Minimale rritet, atëherë besoi duhet një kohë e shkurtër e institucioneve të përgatiten me serverët e tyre për kalkulimin për qëllime tatimore.”, ka shtuar Beqiri për rtv21.tv
Ndryshe, vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar që nga viti 2011. Vlera e pagës minimale në Kosovë është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat. Ajo është e ndarë në dy kategori: 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit mbi 35 vjeç./21Media

Back to top button