Lëvizja Vetëvendosje ka adresuar kritika ndaj Qeverisë Hoti për dështim në menaxhimin e gjendjes me pandeminë COVID-19 në Kosovë, në kohën kur vendi vazhdon të përballet me shifra të larta ditore që nga shpërthimi i epidemisë në mesin e muajit mars.

Në Kuvendin e Kosovës, ku po mbahet debat parlamentar për menaxhimin e gjendjes me koronavirus, e dyta e legjislativit nga radhët e VV-së Arbërie Nagavci tha se rritja e rasteve javëve të fundit ka çuar vendin në një krizë të shumanshme.

“Masat e marra prej korrikut e më sot nga qeveria kanë një problem themelor. Nuk garantojnë siguri dhe mbështetje për qytetarët. Logjika nga çka udhëheqin qeveritarët tregon se barrën më të madhe e kanë hedhur te vetë qytetarët. Kërkohet prej tyre t’ia dalin si të munden dhe këto e dëshmojnë gjitha masat prej idesë së tërheqjes së parave nga trusti e deri te mbulimi i të gjitha shpenzimeve për kurimin e infektuarve. Jemi në një krizë të shumanshme nga COVID-19. Situata është krejtësisht jashtë kontrollit. Është e qartë se qeveria dhe ministritë nuk po ia dalin të menaxhojnë me këtë krizë dhe kriza është ajo qysh është”, tha ajo.

Nagavci në foltoren e Kuvendit tha se pasojat e pandemisë dhe mos marrjen e duhura të masave janë duke i mbajtur mbi supet gjitha grupet shoqërore.

“Situata me pandeminë në vend është përkeqësuar jashtëzakonisht shumë. Shifrat e larta me qindra infektime brenda ditës dhe një numër i lartë i vdekjeve nga COVID-19 janë alarmante dhe po përkeqësohen çdo e më shumë. Vetëm gjatë pesë ditëve të fundit kemi pasur rreth 4000 të infektuar dhe 50 qytetarë tanë kanë humbur betejën me COVID-19. Njëjtë është situata me gjitha grupet shoqërore që mbajnë mbi supe pasojat e pandemisë”, tha Nagavci.

Ndryshe, debati parlamentar në Kuvend mbi gjendjen me pandemi dhe menaxhimin e saj nga ana e Qeverisë së Kosovës është duke vazhduar.